AlbanianSport.com 10/01/2024 17:50
ASNN – Portugezi po josh yjet e futbollit evropian drejt futbollit të vendit të Gjirit Persik. Në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të shkuar, uellsiani Tomas Eduard Lorenc, i mbiquajturi “Lorenci i Arabisë”, i bëri bashkë fiset saudite kundër Perandorisë Osmane, duke riformuatuar edhe fizionominë e Gjirit Persik në atë trajtë që ne e njohim sot. 100 vjet më pas, një personazh i ngjashëm, por në një fushë tjetër, po bën thuajse të njëjtën gjë, ndonëse me kah të kundërt.
Kristiano Ronaldo e shtangu botën e futbollit kur në fund të vitit të shkuar vendosi të lërë gjiganden e futbollit britanik, evropian dhe atij botëror, duke u zhvendosur në kampionatin pak të njohur të Arabisë Saudite. Natyrisht, paratë ishin një faktor kryesor në marrjen e këtij vendimi drastik nga ana e portugezit dhe pati shumë që e paragjykuan lojtarin e famshëm, si duke u nisur nga mosha e tij, por edhe nga fakti se ai do të mbetej një dallëndyshe e vetmuar.
Por vetëm një vit ka kaluar dhe gjurmët e të mbiquajturit “CR7”-ta nëpër shkretëtirë i kanë ndjekur një numër lojtarësh me emër të futbollit evropian. Shembullin e 5 herë fituesit të “Topit të Artë e ndoqi” edhe një tjetër fitues i këtij çmimi, Karim Benzema, ndërsa lista e futbollistëve që kanë zgjedhur paratë e ofruara nga sauditët sa vjen e rritet.
E nëse në fillim u fol për lojtarë të vjetër që po shkonin atje vetëm për të shijuar pensionin, tanimë edhe ky mit ka rënë, teksa mosha e tyre që po braktisin shkëlqimin e futbollit evropian, po ulet gjithnjë e më tepër. Natyrisht, ka edhe zhgënjime, pasi Lindja e Mesme ka vështirësitë e saj, por vetë portugezi po dëshmon se po e sfidon përditë moshën. Me pak fjalë, oazi i zbuluar nga Kristiano Ronaldo po bëhet gjithnjë e më tërheqës për futbollistët, të rinj apo të vjetër.