AlbanianSport.com 09/01/2024 18:45
ASNN – Pasi ka njohur kundërshtarët në fazën finale të Evropianit “Gjermani 2024”, më datë 8 shkurt 2024 në Paris, Shqipëria do të mësojë edhe rivalët për sezonin e ri të Ligës së Kombeve të Evropës për sezonin 2024-2025, që është i katërti në histori. Shqipëria ndodhet në Ligën B në vazon e 3-të dhe në të njëjtin grup me kuqezinjtë janë edhe Sllovenia, Irlanda dhe Mali i Zi.
Prandaj, me këto kundërshtarët Kombëtarja kuqezi nuk do të përballet këtë edicion. Kundërshtarët e tjerë të Ligës B, që priten të jenë edhe kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në Ligën e Kombeve janë të ndarë në 3 vazo të tjera me nga 4 skuadra secila, ku në vazon e parë gjenden Austria, Republika Çeke, Angli dhe Uellsi, ndërsa në vazon e dytë janë Finlanda, Ukraina, Islanda dhe Norvegjia.
Kurse në vazon e katërt gjenden Gjeorgjia, Greqia, Turqia dhe Kazakistani. Ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Gjithçka do të nisë brenda këtij viti, teksa në shtator Shqipëria do të zhvillojë dy sfidat e para, më pas në tetor do të luhen dy ndeshjet e tjera dhe në muajin nëntor do të mbyllet gjithçka me dy sfidat e fundit të grupit.
Liga e Kombeve të Evropës ka ngritur siparin në sezonin 2018-2019 dhe, në dy sezonet e para të saj, Shqipëria ka garuar në nivelin e 3-të, në Ligën C, dhe pas suksesit të arritur në sezonin 2020-2021, duke u renditur në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C, është ngjitur në Ligën B. Edhe këtë sezon kuqezinjtë ndodhen në Ligën B, teksa synimi është kalimi në Ligën A.
Liga e Kombeve të Evropës
2024-2025
Kalendari i ndeshjeve:
Ndeshja 1 5-7 shtator 2024
Ndeshja 2 8-10 shtator 2024
Ndeshja 3 10-12 tetor 2024
Ndeshja 4 13-15 tetor 2024
Ndeshja 5 14-16 nëntor 2024
Ndeshja 6 17-19 nëntor 2024