AlbanianSport.com 08/01/2024 22:20
ASNN – Legjionarët kuqezi e kanë nisur vitin 2024 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë protagonistë në klubet e tyre dhe duke shënuar gola tepër të rëndësishëm. Myrto Uzuni ishte i pari që gjeti rrugën e rrjetës me skuadrën e tij Granadën. Sulmuesi i Kombëtares e nisi si titullar dhe realizoi golin e parë të sfidës në minutën e 22-të në fitoren 2-0 ndaj Kadizit.
Protagonist ishte edhe Armando Broja me Çelsin. Blutë e Londrës fituan me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Preston, ndeshje e vlefshme për Kupën e Anglisë (FA Cup) dhe Broja hapi serinë e golave. Sulmuesi kuqezi u aktivizua si titullar dhe gjeti rrugën e rrjetën në minutën e 58-të. Broja zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë dhe i shkoi shumë pranë golit edhe në dy raste të tjera, teksa u ndal edhe nga shtylla horizontale.
Ndërkaq, Rei Manaj vijon me formën e shkëlqyer dhe ai ishte sërish protagonist, këtë herë në sfidën Kajzerispor-Sivaspor, që përfundoi 1-3. Manaj shënoi dy gola në minutat shtesë, të 93-të dhe të 96-të, duke i dhuruar fitoren skuadrës së tij. Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Ardian Ismajli, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti dhe Ylber Ramadani, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Frederik Veseli, Keidi Bare dhe Nedim Bajrami.