AlbanianSport.com 08/01/2024 18:00
ASNN – Ish-lojtari dhe trajneri legjendar i Gjermanisë ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare. Futbolli botëror është në zi sepse ka humbur “Kaizerin” e tij. Franc Bekenbaueri është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë prapa një trashëgimi të rrallë në lojën më popullore në botë. Kështu, fillimi i vitit 2024 ka bërë që futbolli botëror të humbasë një tjetër personazh që ka bërë epokë. Futbolli botëror dhe ai gjerman në veçanti është në zi sepse ka humbur “Kaizerin” e tij. Franc Bekenbaueri është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë prapa një trashëgimi të rrallë në lojën më popullore në botë.
Franc Anton Bekenbauer lindi më 11 shtator të vitit 1945 në Mynih, duke vijuar të bëhet fillimisht futbollisti, më pas trajneri dhe drejtuesi i Federatës Gjermane dhe të cilësohet nga të gjithë si një nga futbollistët me të famshëm në botë. I mbiquajturi “Kaizeri” (Perandor), ai ka luajtur në pozicionin e mbrojtësit të lirë tek Bajerni i Mynihut gjatë viteve 1964-1977 dhe tek Nju Jork Kozmosi në vitet 1977-1980 dhe për ta mbyllur më pas karrierën në atdhe, me skuadrën e Hamburgut në periudhën 1980-1982. Futbollist, por edhe kapiten i shquar edhe i Gjermanisë, ai luajti 103 ndeshje me fanellën e përfaqësueses, teksa shënoi edhe 14 gola.
Franc Bekenbaueri është konsideruar gjithmonë si një nga futbollistët më të mirë të shekullit të XX-të, që spikaste për klasin dhe elegancën e tij. Në kabinetin e trofeve të tij spikatin 5 tituj “kampion” në Bundesligën Gjermane, 3 Kupa të Kampioneve të Evropës, një Kupë Ndërkontinentale, një Kupë e Kupave, 4 Kupa të Gjermanisë dhe 3 tituj “kampion” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me përfaqësuesen ai u shpall “kampion” i botës në 1974-ën, teksa kishte qenë “nënkampion” në 1966-ën, por edhe u mund në atë gjysmëfinale legjendare me Italinë në 1970-ën.
Në vitin 1972 ai fitoi “Topin e Artë”, sukses të cilin e ripërsërit në vitin 1976, vit në të cilin ai humbi finalen me ish-Çekosllovakinë. Ai e vazhdoi karrierën e tij futbollistike më pas edhe si trajner, duke nisur nga viti 1984 dhe e udhëhoqi Gjermaninë drejt titullit “kampion” në Botërorin e vitit 1990, të zhvilluar në Itali, duke u hakmarrë ndaj Argjentinës së Maradonës për humbjen në finalen e para 4 viteve. Suksesi ai e shijoi edhe si drejtues, teksa falë tij, kandidatura e Gjermanisë fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit të 2006-ës.