AlbanianSport.com 06/01/2024 17:40
ASNN – Skiatorja italiane me pasaportë shqiptare garon edhe të dielën në sllallom. Ky sezon ka qenë mjaft pozitiv për skiatoren kuqezi, Lara Kolturi, e cila është në sezonin e saj të dytë të Kupës së Botës edhe pse vetëm 17-vjeçare. Skiatorja premtuese italiane, e cila ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare po merr pjesë në garat që këtë javë u spostuan në pistën e Kranjska Gorës në Slloveni. Kështu, të shtunën ajo ka konkurruar në gara e sllallomit gjigant, ku ka bërë një paraqitje të mirë, duke patur parasysh se gara është zhvilluar në kushte të pafavorshme atmosferike.
Në zbritjen e parë, ajo nuk ka qenë atje ku synonte, duke mbërritur në finish dy sekonda e 30 të qindtat pas vendit të parë dhe duke u detyruar të kënaqej me vendin e 29-të. Por në zbritjen e dytë Kolturi ka qenë mjaft agresive, duke mbërritur në finishish vetëm 86 të qindtat e sekondës pas vendit të parë dhe duke u renditur e 14-ta. Në renditjen e përgjithshme pas dy zbritjeve, ajo u rendit e 25-ta, një rezultat i mirë duke patur parasysh se është në 30-shen e parë të botës.
Fundjavën e shkuar, në Linz të Austrisë, atje ku u zhvillua stacioni i radhës i Kupës së Botës, në garën e sllallomit gjigand skiatorja shqiptare u rendit në vendin e 22-të pas dy zbritjeve, me kohën e përgjithshme 2 minuta, 8 sekonda e 55 të qindtat. Ajo vazhdon të marrë të tjera pikë të rëndësishme në renditjen e Kupës së Botës, teksa të dielën do të konkurrojë në garën e sllallomit po në pistën e Kranjska Gorës në Slloveni. Ky sezon ka qenë mjaft pozitiv për skiatoren kuqezi, e cila është në sezonin e saj të dytë të Kupës së Botës edhe pse vetëm 17-vjeçare.