AlbanianSport.com 18/11/2022 16:35
ASNN – Familja mbretërore e Katarit kërkon në mënyrë kategorike ndalimin e alkoolit në stadium, gjatë ndeshjeve të botërorit. Kjo gjë që e ka vënë FIFA-n në një pozitë të vështirë, pasi do t’i duhet të paguajë një gjobë të majme kompanisë së birrës që ka fituar të drejtën për të shitur produktin e saj në Botëror. Organizmi që qeveris futbollin botëror është nën presion për të ndaluar të gjitha shitjet e pijeve alkoolike në stadiumet e Botërorit, vetëm pak ditë para fillimit të turneut.
Familja mbretërore e Katarit me një vendim të prerë, i ka bërë të qartë FIFA-s se duhet të ndalojë në mënyrë kategorike pijet akoolike në stadiume. Por nëse do të ndodhë kjo, organizmi drejtues i futbollit botëror do të jetë në telashe të mëdha, pasi duhet t’i paguajë një gjobë të madhe kompanisë së birrës, një prej sponsorëve më të mëdhenj të FIFA-s, e cila ka fituar të drejtën për të shitur produktin e saj gjatë ditëve të botërorit. Prishja e kontratës do t’i kushtojë FIFA-s një gjobë prej miliona dollarësh.
Sipas ligjeve të Katarit, pijet alkoolike janë të ndaluara të shiten në publik, por ishte rënë dakord fillimisht që ato të përdoreshin pas orës orës 20:00 të mbrëmjes dhe në pjesën jashtë stadiumeve jo brenda tyre. Por të premten familja mbretërore e Katarit ka vendosur që edhe kjo marrëveshje të mos zbatohet, duke krijuar një tjetër problem për FIFA-n. Mbetet e paqartë nëse do të ketë apo jo pije alkoolike në stadiume, kur ndeshja hapëse e Botërorit luhet të dielën.
I vetmi vend i garantuar ku mund të përdoret alkooli janë vendet e përcaktuara për grupimet e tifozëve. Por edhe aty çmimet janë tepër të larta dhe tifozët mund të marrin për person deri në katër pije në të njëjtën kohë.