AlbanianSport.com 16/11/2022 23:55
ASNN – Mbyllet 2-2 përballja me Armeninë në miqësoren e luajtur në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Është mbyllur në barazim 2-2 ndeshja e parë miqësore e nëntorit për Kosovën, e cila është përballur të mërkurën në mbrëmje me Armeninë. Në fakt, takimi i luajtur në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës ka parë të përzgjedhurit e Alen Zhires të mbizotërojnë, por do të ndëshkohen në dy raste nga kundërsulmet e skuadrës mike.
Në këtë mënyrë ka qenë Armenia që kalon e para në epërsi në minutën e 24-të, me golin e shënuar nga Zhirajr Shaghojan, i cili marshoi i vetëm deri në zonë, për të mposhtur gardianin e portës së vendasve, Bekaj. Me këtë epërsi minimale të miqve dhe përtej përpjekjeve dhe mbizotërimit të lojës nga “Dardanët” do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, përpjekjet e futbollistëve të Kosovë u shpërblyen në minutën e 67-të, kur fituan një 11-metërsh.
Dhe është Lirim Kastrati që u tregua i saktë nga pika e bardhë. Por armenët u rikthyen në epërsi 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Hovhanes Harutjunjan mori një top në krahun e majtë dhe pasi kaloi tre mbrojtës të Kosovës, e mposhti portierin Visar Bekaj nga afëra. E teksa ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë u shfaq Donat Rrudhani, i cili shënoi në minutën e tretë shtesë, duke shmangur humbjen e skuadrës së tij dhe duke fiksuar rezultatin përfundimtar në 2-2.
Pas tri ditësh, Kosova do të zhvillojë miqësoren e dytë, atë kundër Ishujve Faroe, që do të jetë edhe e fundit për “Dardanët” për këtë vit. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.