AlbanianSport.com 16/11/2022 23:20
ASNN – Gana zbarkon në Katar, por nuk ka fanella. Ka qenë e pabesueshme ajo që ka ndodhur me një nga 32 përfaqësueset pjesëmarrëse të Botërorit 2022. Gabim sensacional nga skuadra afrikane, tani është në garë me kohën në funksion të debutimit kundër Portugalisë më 24 nëntor.
Gjithçka është gati për “Botërorin 2022”, i cili do të hapet të dielën e 20 nëntorit me ceremoninë hapëse dhe ndeshjen e parë, Katar-Ekuador. Shumë ekipe përfaqësuese tashmë janë nisur drejt vendit pritës, në pritje të nisjes së evenimentit më prestigjioz të futbollit në planet.
Megjithatë, ishte Gana ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ditët e fundit, me përfaqësuesen afrikane që bëri një gabim të bujshëm. Siç raporton “Canal 2 International”, Gana u nis për në Katar duke harruar uniformat zyrtare që lojtarët duhet të përdorin gjatë garës.
Një gabim i rëndë, me përfaqësuesen afrikane që rrezikon ta luajë ndeshjen e parë pa fanellat e veta. Një garë e vërtetë me kohën ka nisur, me shqetësimin për ngadalësinë e postës ganeze dhe debutimin e përcaktuar të afrikanëve për më 24 nëntor 2022 kundër Portugalisë.