AlbanianSport.com 16/11/2022 13:05
ASNN – Edhe Botërori i Katarit do të ketë lojtarin me moshën më të re, i cili do të spikasë me lojën e tij. Sipas mediave angleze, janë 10 lojtarët e rinj të cilët mund të shndërrohen në yjet e këtij Botërori. Çdo Botëror nxjerr një lojtar të ri që spikat. E në Katar ka shumë kandidatë për të qenë si futbollisti i ri më i mirë, i cili gjatë një muaji, shndërrohet nga një perspektivë emocionuese, në emër të njohur.
Sipas “MirrorFootball”-it 10 futbollistët që mund të shkëlqejnë në Botërorin e Katarit janë:
Xhjud Bellingam, i cili pritet të shkëlqejë në mesfushën e Anglisë. Drejt tij do të vërshojnë një lumë ofertash në verën e ardhshme. E paraqitja e tij në Botëror mund ta ngrejnë çmimin e kartonit të tij.
Xhamal Musiala, mesfushori i Bajernit të Mynihut, mund të ishte midis futbollistëve të Anglisë në këtë Botëror. Por 19-vjeçari zgjodhi Gjermaninë.
Takefusa Kubo i Japonisë, i cili ka luajtur më parë për Barcelonën dhe Realin e Madridit. Sulmuesi 21-vjeçar, i vlerësuar si Mesi i ardhshëm, ka arritur shumë rekorde për moshën me ekipet që ka luajtur.
Gavi, i riu i Spanjës. Nëse shoku i tij i skuadrës Pedri ishte një nga yjet e Evropianit të vitit të kaluar, ky Botëror duket se do të jetë i mesfushorit tjetër të ri të talentuar të Barcelonës. Të dy kanë fituar çmimin e lakmuar “Golden Boy” në vite të njëpasnjëshme. Gavi, 18 vjeç, po shkëlqen dhe niveli i tij do të duket më shumë në Katar.
Nunjo Mendesh i Portugalisë. Për 20-vjeçarin, Botërori do të jetë një mundësi për të treguar vlerat.
Enzo Fernandez i Argjentinës. Mesfushori i Benfikës bëri debutimin e tij me përfaqësuesen në shtator, por tashmë po flitet si një lojtar me të ardhme që mund të kushtojë deri në 100 milionë stërlina. E shumica e klubeve të mëdha të Premier Ligës po tregojnë interes.
Oreliën Tshuameni i Francës, një nga dy mesfushorët e rinj të Realit të Madridit. Trajneri i Francës, Didie Deshomp, i ka besuar 22-vjeçarit një rol shumë më të madh nga sa pritej, për shkak të dëmtimeve të N’Golo Kantesë dhe Pol Pogbasë. Dhe paraqitja e tij në këtë Botëror, mund të lerë gjurmë të rëndësishme në karrierën e tij.
Josko Gvardiol i Kroacisë, mbrojtësi i krahur të majtë vetëm 20 vjeç pritet të shkëlqejë në këtë Botëror.
Kodi Gakpo i Holandës, futbollisti i krahut i PSV-së së Eind’hovenit, pritet të bëjë një lëvizje në një ligë më të madhe sezonin e ardhshëm, por çmimi dhe destinacioni mund të përcaktohen nga mënyra se si ai do të performojë në Botëror.
Sharl De Ketelar i Belgjikës. Mesfushori 21-vjeçar me tipare sulmuese mund të shkëlqejë në këtë Botëror. Edhe pse nuk po tregon nivelin që pritet prej tij në Serinë A me Milanin. Ai do të përballet me konkurrencë të ashpër në mesfushën e Belgjikës.