AlbanianSport.com 15/11/2022 10:45
ASNN – Mposht Bylisin 2-1 në Stadiumin e Kompleksit të ri të Klubit, vendos dygolëshi i Skukës. Java e 12-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për këtë vit është mbyllur të hënën pasdite dhe Partizani ka mundur Bylisin 2-1. Të kuqtë e përurojnë kështu shtëpinë e re me një rikthim në krye të renditjes, me 22 pikë, po aq sa ka edhe rivalja tjetër kryeqytetase, Tirana.
Ndeshja që ka ulur siparin e javës së 12-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për këtë vit ka qenë ajo midis Partizanit dhe Bylisit, që u luajt të hënën pasdite në Stadiumin e Kompleksit të ri të të kuqve, në periferi të kryeqytetit. Në fakt, takimi ka parë skuadrën e trajnerit Xhovani Kolela ta nisë më mirë dhe, në minutën e 16-të, është Skuka që përfiton nga mosmarrëveshja e mbrojtjes ballshiote me portierin e saj, Teqja.
Dhe ky i fundit detyrohet ta pengojë Skukën, që fiton një 11-metërsh. Është vetë Skuka që tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe përshëndet rrjetën, duke e kaluar Partizanin në epërsi. Gjysmëora në vijim do të shohë një lojë të hapur të të dyja skuadrave, me Qardakun që rrezikon fillimisht në minutën e 21-të, dhe me Partizanin që kundërpërgjigjet dy minuta më vonë, me anë të Carës, por të dy pa rezultat.
Qardaku rikthehet të vërë në provë Rexhepin pas 35 minutash, lojë, por gardiani i të kuqve e mban të paprekur rrjetën e tij. Përtej një pretendimit të Skukës për një tjetër 11-metërsh, por që mbetet vetëm një karton i verdhë për të për simulim, mbyllet me epërsinë minimale të Partizanit kjo pjesë e parë, ndërsa e dyta nis gjithashtu me të kuqtë që mbizotërojnë në çerekoren e parë.
Ndonëse Bylisi reagon dhe ka mundësi të barazojë shifrat pas një orë lojë, Partizani godet sërish me anë të Skukës, që dyfishon shifrat në minutën e 63-të, duke plotësuar edhe dygolëshin e tij në këtë sfidë. Loja në vijim do të shohë të kuqtë e Kolelës të mbizotërojnë dhe madje të shpërdorojnë dy raste mjaft të volishtme për shënimin e golit të 3-të, çka do ta vuloste fitore e Partizanit.
Dhe kjo paaftësi për të konkretizuar ndëshkohet 10 minuta para fundit, kur Bylisi gjen rrugën e rrjetës, me anë të sapoturit Rodrigo. Megjithëse ballshiotët do të përpiqen dhe kanë mundësi për të barazuar shifrat në fund, Partizani e mbron fitoren midis drithërimave dhe e përuron kështu shtëpinë e re me një rikthim në krye të renditjes, me 22 pikë, po aq sa ka edhe rivalja tjetër kryeqytetase, Tirana. Në takimin e luajtur më herët, Erzeni ka përmbysur shifrat përballë Teutës, duke fituar me rezultin 2-1.