AlbanianSport.com 18/09/2022 20:35
ASNN – Pas fitores 4-0 që Tirana arriti të premten në kryeqytet ndaj Teutës, në prologun e javës dhe dy ndeshjeve të luajtura të shtunën, ku Bylisi dhe Egnatia ndanë nga një pikë në Ballsh dhe Erzeni mundi 1-0 Laçin në Durrës, Vllaznia është përballur të dielën në mbrëmje në shtëpi me Kastriotin, duke e mundur me një gol të vetëm, ndërsa Partizani viziton Kukësin, për t’u ndeshur të hënën pasdite me skuadrën vendase, në takimin që mbyll javën e 5-të të Kategorisë Superiore.
Kështu, Vllaznia është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa mbrëmjen e së dielës mposhti minimalisht skuadrën e Kastriotit në sfidën e zhvilluar në Stadiumin “Loro Boriçi”. Një gol i Hoxhajt që në sekondat e para të sfidës, i tronditi krutanët, të cilët u kapën në befasi. Një gol që krijoi iluzionin që kjo ndeshje do të prodhonte “festival” golash, por nuk rezultoi e tillë, pasi realizimi i lojtarit vlonjat të shkodranëve do të vendoste edhe fatet e këtij dueli.
Rezultatin 1-0 kuqeblutë e ruajtën deri në fund, duke koleksionuar kështu një fitore të rëndësishme në javën e 5-të të Kategorisë Superiore, ndërsa arrijnë në kuotën e 9 pikëve në vendin e 3-të. Ndërkaq, në krahun tjetër të besuarit e trajnerit Emiliano Çela nuk arritën dot të gjenin rrugën e rrjetës, me fatin që i ndëshkoi që në fillim në Shkodër.