AlbanianSport.com 17/09/2022 15:25
ASNN – Amerika kërkon që një finale e Ligës së Kampioneve të zhvillohet atje. Kjo do të sillte të ardhura të mëdha financiare për UEFA-n, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë prova që dinë të organizojnë në mënyrë të shkëlqyer finale të sporteve të ndryshme. Por i mungon ajo, më e rëndësishmja e futbollit evropian për klube, finalja e Ligës së Kampioneve të Evropës.
Për momentin nuk ka asnjë vend në botë më shumë sesa Amerika e Veriut, që të sigurojë më shumë të ardhura, si nga ana e sponsorëve ashtu edhe nga ana e të drejtës televizive. Shumë veprimtari madhore të futbollit po nxitojnë të jenë pjesë e kontratave për t’u zhvilluar në Amerikë. Por SHBA-së iu mungon qershia mbi tortë, finalja e Ligës së Kampioneve të Evropës.
Ndeshja më e rëndësishme e futbollit evropian për klube nuk u largua kurrë nga kontinenti i vjetër dhe sfida për ta çuar atë jashtë vendit është një sfidë në të gjitha nivelet. Megjithatë, joshja nga të ardhurat e mëdha ekonomike që të ofron SHBA-ja, i bën UEFA-n dhe klubet ta shohin atë si një mundësi të favorshme për ta. Javën e ardhshme në Stamboll zhvillohet Asambleja e Përgjithshme UEFA- dhe atje, midis të tjerave do të diskutohet edhe kjo çështje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë prova që dinë të organizojnë në mënyrë të shkëlqyer finale të sporteve të ndryshme, finale të jashtëzakonshme dhe ekspertë të shfaqjeve që japin. FIFA kurrë nuk kishte dyshuar për këtë. Ndaj vendosi që Botërori 2026 të zhvillohet atje, megjithëse do të ndahet edhe me Kanadanë dhe Meksikën. Në SHBA gjatë këtyre viteve janë zhvilluar edhe turne nga konfederata të tjera, si “Copa América” e Amerikës Latine dhe “Gold Cup” e CONCACAF-it.
Rritja e futbollit është nxitur nga komuniteti latin, por edhe nga një sërë masash të vendosura nga organizatorët dhe institucionet. Krijimi i disa fushave të futbollit të nivelit të lartë është impulsi i fundit. 22 nga 28 klubet e MLS do të kenë tashmë stadiume specifike për futbollin dhe nuk do të ripërdoren nga sportet e tjera siç ka ndodhur. Pra SHBA ka organizuar gjithçka përveç një, Ligën e Kampionëve. Ky është qëllimi i tyre. Dhe ata po luftojnë për ta arritur këtë synim.