AlbanianSport.com 23/07/2022 17:55
ASNN – Sidni Meklaflin hyn në histori. 22-vjeçarja amerikane ka thyer rekordin botëror në 400 metra me pengesa, gjatë konkurrimit në Botërorin që po zhvillohet në Oregon. Ajo bën një garë të shkëlqyer, pa asnjë gabim nga fillimi deri në fund, duke thyer rekordin botëror në 400 metra me pengesa me kohën e jashtëzakonshme 50 sekonda e 68 të qindtat, më shumë se gjysmë sekonde më e shpejtë se koha e mëparshme. 22-vjeçarja amerikane ka mbetur e shtangur teksa pasi ka kaluar vijën e finishit ka parë tifozët të brohorasin.
Gara e saj ka qenë një kryevepër. Nuk bën asnjë gabim nga pengesa e parë deri e fundit me një ritëm të jashtëzakonshëm. Dhe 100.000 dollarët e fituar janë mëse të merituar. Ajo është fituese e medaljes së artë olimpike vitin e kaluar në Tokio, edhe atëherë me një rekord botëror. Por ajo që çuditi të gjithë menjëherë pas garës, ishte deklarata e saj kur u shpreh se në të ardhmen mund të ndryshojë disiplinë gare, duke thënë: “Po mendojmë të ndryshojmë disiplinë gare. Nuk e di se kur do të ndodhë kjo. Do ta vendosim në fund të sezonit.”
“Do të ndryshojmë disiplinë apo do të qëndrojmë në 400 metra me pengesa. Sidoqoftë, e kam lënë në duart e trajnerit tim vendimin”, tha Meklaflin. Ndërkohë, amerikani Majkëll Norman është fitues i medaljes së artë në garën e 400 metrave. Ai regjistroi kohën 44 sekonda e 29 të qindtat. Tre herë medalisti olimpik Xhejms fitoi medaljen e argjendtë me 44 sekonda e 68 të qindtat, ndërsa britaniku Methju Hadson-Smith plotësoi podiumin, pasi mori medaljen e bronztë me kohën 44 sekonda e 66 të qindtat.
Dy herë kampionia olimpike Miller-Uibo nga Bahamasi më në fund fitoi medaljen e artë botërore në 400 metra në Botërorin e Oregonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke regjistruar kohën 49 sekonda e 11 të qindtat. Ajo nuk mori pjesë në Botërorin e Dohas në 2019 dhe në Lojërat e Tokios pas tre testeve të humbura të dopingut.