AlbanianSport.com 22/07/2022 23:05
ASNN – Mediat dhe tifozët e Universitateas “masakrojnë” me komente trajnerin Balint. Vllaznia e ka mbyllur në barazim 1-1 të enjten takimin e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës përballë Universitateas së Krajovës. Dhe mediat, por sidomos, tifozët rumunë, kanë qenë mjaft të ashpër në reagimet ndaj skuadrës së tyre, sidomos me trajnerin Balint, të cilin e kanë cilësuar si trajner me mendësi inferiore.
Është mbyllur në barazim 1-1 takimi i parë midis Vllaznisë dhe Universitateas së Krajovës, teksa takimi që u luajt në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1. Dhe mediat, por sidomos, tifozët rumunë, kanë qenë mjaft të ashpër në reagimet ndaj skuadrës së tyre, sidomos me trajnerin Lazlo Balint, të cilin e kanë cilësuar si trajner me mendësi inferiore.
Sipas asaj që raporton gazeta sportive “ProSport”, të pakënaqur me atë që kanë parë në fushën e blertë përballë skuadrës shqiptare, tifozët rumunë e kanë përqendruar zemërimin e tyre tek kreu i stolit të skuadrës universitare. “Trajner i vogël, me mendësi të rënies nga kategoria”, – ka qenë refreni i tifozëve, të cilët i kanë bërë thirrje kreut të klubit të mbiquajtur “Olteni”, ta shkarkojë pas vetëm dy ndeshjesh në detyrë. Pas barazimit 2-2 në javën e parë në kampionat përballë Sepsit, ka ardhur edhe barazimi 1-1 në Shkodër dhe 43-vjeçari nuk i ka shpëtuar dot ironisë së tifozëve.
“Problemi i Balintit është që ai di vetëm të marrë barazime, – shkruan një tifoz i Universitateas në rrjetet sociale, duke shtuar: “Të jesh në epërsi në dy ndeshje dhe t’i mbyllësh të dyja në barazim, ky është me të vërtetë pasion.” “Unë pyes për të njëjtën gjë, përse bëhet një ndërrim në sulm në minutën e 93-të, apo trajneri ia futi gjumit gjatë ndeshjes dhe pastaj humbi ndjenjat”, – ironizon një tjetër tifoz, duke iu referuar zgjedhjeve taktike të Balintit.
“Pashë konferencën për shtyp pas ndeshjes, dhe më vjen keq, sepse unë nuk pashë të njëjtën ndeshje që ka parë trajneri”, – vijojnë kritikat e tifozëve, që mbase i përmbledh më së miri edhe komenti i njërit prej tyre, i cili thekson: “Festja që Balinti mban mbi kokën e tij është shumë e madh për të, sepse ai është një trajner i kufizuar në mendësi dhe jo për ekipe si Universitatea e Krajovës.”