AlbanianSport.com 22/07/2022 19:45
ASNN – Në ditën e 7-të të garave të Botërorit të Atletilkës në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin vetëm dy gara finale në program, ato në 200 metra për meshkuj dhe femra. Të dyja të jashtëzakonshme, teksa ka ardhur një fitore e trefishtë amerikane për meshkuj dhe një fitore e dyfishtë xhamajkane për femra. Emocione të mëdha në Oregon, në ditën e 7-të të garave të Botërorit të Atletikës.
Dy garat e shpejtësisë në 200 metra për meshkuj dhe femra, të zhvilluara brenda 15 minutave, me rezultatet e arritura, kanë qenë të jashtëzakonshme. Noah Lajls fiton garën e 200 m për meshkuj me një kohë të jashtëzakonshme, 19 sekonda e 31 të qindtat, me erën kundër 0.4 metra për sekondë. Por, sidoqoftë, koha e vendosur nga Lajls është rekord i ri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rezultati i 3-të më i mirë në të gjitha kohërat.
Pas tij, medaljen e argjendtë e mori bashkëkombasi i tij, Bednarek me kohën 19 sekonda e 77 të qindtat dhe të bronztën amerikani tjetër, Najton, 3 të qindtat e sekondës më i ngadaltë. Në të njëjtën disiplinë gare Sherika Xhekson ka qenë e jashtëzakonshme! Xhamajkania fiton medaljen e artë në 200 m për femra me kohën 21 sekonda e 45 të qindtata.
Ajo kishte edhe erën që frynte kundër saj me një shpejtësi prej 0.6 metër për sekondë. Sidoqoftë, ajo është shumë pranë rekordit historik 34 vjeçar të mbajtur nga Grifith Xhojner. Koha e arritur nga Xhekson është rezultati i dytë më i mirë i të gjitha kohërave. Frejszër-Prajs firmos fitoren e dyfishtë xhamajkane me medaljen e argjendtë, me kohën 21 sekonda e 81 të qindtat.
Në vend të 3-të dhe medaljen e bronztë e mori britanikja Ejshër-Smith, me kohën 22 sekonda e 2 të qindtat. I menjëhershëm ka qenë reagimi i legjendarit Jusein Bolt, teksa ka përgëzuar bashkëkombasen e tij, Sherika Xhekson, për rezultatin e arritur.