AlbanianSport.com 20/07/2022 22:35
ASNN – Moldavët kërkojnë mbështetje për duelin e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës. Klubi i Petrokubit është kundërshtarja e Laçit në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës dhe mesa duket kurbinasit i pret një atmosferë e zjarrtë në Moldavi, teksa sipas mediave vendëse, të paktën 5 mijë tifozë do të jenë të pranishëm në mbështetje të skuadrës vendase. Ndeshja nuk luhet në fushën e rivalit të Laçit, por në stadiumin “Zimbru” të kryeqytetit moldav, Kishinjev.
Në turin e parë ndaj maltezëve të Florianës, Petrokub u mbështet nga 3 mijë tifozë, të cilët ndikuan jo pak në kualifikimin e skuadrës për në turin e dytë, aty ku përballë do të ketë tashmë kurbinasit. Dhe ka qenë vetë presidenti i Petrokubit, Nikolae Usati, i cili u ka bërë thirrje tifozëve që të mbështesin skuadrën e tij të enjten në mbrëmje. “Ne arritëm një kualifikim të merituar në turin e dytë të Ligës së Konferencës dhe të gjithë e panë se çfarë atmosfere e bukur u krijua në stadium”, – ka thënë ai fillimisht.
“Ne tashmë do të kemi një rival më të fortë, Laçin nga Shqipëria, prandaj dhe na duhet mbështetja juaj për të arritur një tjetër rezultat pozitiv. U bëj thirrje të gjithë tifozëve të skuadrës sonë, por jo vetëm, që të mbështesin Petrokubin në synimin që kemi për të marrë një tjetër fitore. Ju presim familjarisht në Kishinjev, për të përjetuar një tjetër eksperiencë fantastike në Evropë”, – ka përfunduar presidenti i klubit moldav para ndeshjes kundër Laçit.
Fjalëve të presidentit u bëri jehonë edhe trajneri i Petrokubit, Aleksei Savinov, dhe mbrojtësi Maksim Potirniçe. Trajneri Savinov e ka vlerësuar Laçin si një kundërshtar të vështirë, duke e veçuar si të vetmin ekip shqiptar në këto ndeshje të deritanishme eliminatore, që nuk ka pësuar humbje dhe që ka kaluar një tur. Edhe mbrojtësi moldav pret një sfidë të vështirë me skuadrën shqiptare, ndërsa duhet theksuar se kjo është hera e 5-të në historinë e Petrokubit që merr pjesë në Kupat e Evropës.