AlbanianSport.com 19/07/2022 22:35
ASNN – Fiton 4-0 në fushën e Fioritas, duke e bërë formalitet ndeshjen e kthimit. Ndryshe nga Tirana, Ballkani i ish-trajnerit bardheblu, Ilir Dajës, ka bërë detyrën në Ligën e Konferencës, duke korru një fitore me 4 gola në fushë të huaj. Pasi është eliminuar, ashtu sikundër Tirana, nga Liga e Kampioneve që në turin e parë, Ballkani ka siguruar kalimin në turin tjetër të Ligës së Konferencës që në ndeshjen e parë të tij në turin e dytë, edhe pse luante në fushë të huaj.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka mundur me shifrat 4-0 ekipin e Fiorita të San Marinos. Gjithçka është bërë e thjeshtë që në pjesën e parë me golat e Korenicës, që ka gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 6-të, dhe të Rrahmanit, që ka shënuar 17 minuta më pas. Me këtë epërsi të dyfishtë të kampiones së Kosovës është mbyllur pjesa e parë, ndërsa në të dytën ka qenë përsëri Rrahmani ai që ka tundur sërish rrjetën, duke plotësuar dygolëshin e tij vetjak në këtë takim.
Ndërsa 17 minuta para fundit të kohës së rregullt, Berisha ka vulosur rezultatin përfundimtar në shifrat 4-0, që shndërron në një formalitet ndeshjen e kthimit në Kosovë.