AlbanianSport.com 19/07/2022 19:15
ASNN – I pranishëm në prezantimin e projektit “Uniforma Ime” në qytetin e Korçës ishte edhe Teodor Vaso, legjenda e futbollit vendas dhe ish-futbollist i Kombëtares shqiptare, i cili e konsideroi këtë moment si mjaft të rëndësishëm që ndihmon fëmijët që nuk kanë mundësi të pajisen me uniforma dhe falenderoi FSHF-në për këtë angazhim që rrit cilësinë e futbollit shqiptar. “Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm”, – tha ai fillimisht.
“Është mrekulli ky angazhim i Federatës Shqiptare të Futbollit për të dhënë një ndihmesë të veçantë zhvillimit të futbollit në Shqipëri, – ka thënë vijuar ish-futbollisti i njohur. – Pajisja me uniformë sportive nuk është vetëm një element figurativ, por në të njëjtën kohë është edhe një element që ndihmon kontigjentin e fëmijëve, sidomos ata, të cilët në pamundësira materiale nuk blejnë dot uniformat përkatëse për t’iu përgjigjur sportive.”
“Për këtë arsye, falënderojmë FSHF-në për këtë angazhim të veçantë në ndihmesë të cilësisë sportive të futbollit shqiptar”, – përfundoi legjenda Vaso. Të gjithë fëmijët që luajnë futboll, nga mosha Nën-7, deri në moshën Nën-19-vjeç do të përfitojnë një set veshjesh që në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes. I gjithë ky projekt kaq i madh, që ka si qëllim zhvillimin e futbollit të fëmijëve do të kushtojë 1 milion Euro dhe do të mbulohet i gjithi nga Federata Shqiptare e Futbollit.