AlbanianSport.com 04/04/2022 20:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-16-vjeçarëve, që do të marrë pjesë në turneun “UEFA Development” të kësaj grupmoshe për meshkuj, ka nisur përgatitjet që nga dita e hënë dhe po stërvitet intensivisht nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku dhe stafit teknik. Përveç Shqipërisë së Nën-16-vjeçarëve, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Irlandës së Veriut, Perusë dhe Luksemburgut, teksa të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Në një prononcim dhënë për mediat, trajneri kuqezi ka folur për lojtarët e përzgjedhur dhe objektivat që ka përfaqësuesja e Nën-16-vjeçarëve në këtë turne.
Bulku thekson se kjo veprimtari është një mundësi shumë e mirë për këta djem, që të tregojnë vlerat e tyre dhe për të konsoliduar ekipin për të ardhmen. “Mendoj që bashkë me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare, me të gjithë stafet e ekipeve kombëtare kemi bërë këtë zgjedhje, këta djem që janë sot këtu të pranishëm, – ka thënë ai fillimisht. – Ka edhe disa të tjerë, disa për efekt të formës që po kalojnë, disa për efekt dokumentesh dhe mendoj që ky do jetë pak a shumë grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Evropian. Pa diskutim, ky është një test, një turne shumë i mirë, do të thoja.”
“Kjo është mundësia më e mirë nëse do të shohësh një skuadër, se sa e gatshme është për një veprimtari, siç është edhe Evropiani. Ky është një turne dhe një mundësi shumë e mirë për t’i parë lojtarët nga afër, për të parë gjendjen e tyre, por dhe forcën e harmoninë që ka ky grup për të ardhmen”, – thekson trajneri i kuqezinjve, ndërsa shpreson që në të ardhmen të ketë mundësi për të tjera miqësore apo pjesëmarrje në të tjera turne. “Ne kemi planifikuar edhe miqësore të tjera, pohon ai. – Si ky turne ndoshta mund të ketë dhe një turne tjetër. Gjithçka varet nga çfarë do të ndodhë deri para Evropianit.”
“Sepse dihet që nuk është e lehtë të gjesh turne dhe të gjesh skuadra si në këtë turne. Ky është turne që organizohet nga UEFA dhe duhet të falënderojmë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit që ka mundësuar që këtë turne ne ta zhvillojmë në shtëpinë tonë sepse kjo grupmoshë e ndjen edhe atë momentin kur luan brenda ose jashtë fushës. Kjo grupmoshë ka pasur mundësi shumë të mira. Është turneu i dytë i këtyre përmasave, pas një turneu në Kroaci një vit më parë, kjo datëlindje e 2006-s dhe mendoj që këto dy turne do i shërbejnë shumë këtij grupi për të qenë sa më i gatshëm për Eliminatoret e Evropianit”, – përfundoi trajneri i Nën-16-vjeçarëve të Shqipërisë, Ervin Bulku.