AlbanianSport.com 04/04/2022 17:55
ASNN – Edhe Myrto Uzuni ka qenë protagonist me Granadan në Spanjë, teksa i ardhur nga stoli sulmuesi kuqezi dhuroi një pasim goli për Sançezin, që me gjoks i ul në tokë topin Molinos, i cili e dërgoi në rrjetë. Një krosim mjaft i vlefshëm nga sulmuesi i Kombëtares, i cili arriti të linte edhe shenjën e tij me Shqipërinë në ndeshjet e marsit, ku shënoi edhe golin e vetëm për kuqezinjtë në sfidën ndaj Spanjës.
Përballë Uzunit në këtë sfidë ishte futbollisti tjetër kuqezi, Ivan Balliu, i cili gjithashtu dhuroi një paraqitje pozitive në radhët e Rajo Vajekanos. Një fundjavë mjaft e mirë ka qenë edhe për portën shqiptare, me Etrit Berishën e Thomas Strakoshën që kanë dhënë siguri për skuadrat e tyre përkatëse, Torinon dhe Lacion në nivelin më të lartë të futbolli në Itali, në Serinë A.
Treshja e Empolit, Ismajli-Asllani-Bajrami janë aktivizuar këtë fundjavë me ekipin e tyre, edhe pse e kanë nisur nga stoli. Për Berat Gjimshitin, rikthimi tek Atalanta nuk ka qenë mjaft i mbarë, pasi mbrojtësi kuqezi u detyrua të linte lojën në minutën e 62-të për shkak të një problemi në shpatull. Mbetet për t’u parë shkalla e dëmtimit dhe se sa ai do t’i mungojë klubit nga Bergamo.