AlbanianSport.com 03/04/2022 20:10
ASNN – Fabiola Caka, një tjetër futbolliste e Kombëtares të Nën-19-vjeçareve në futboll për femra nuk e fsheh emocionin që rikthehet të luajë me skuadrën kuqezi. “Patjetër që jam e lumtur dhe e prisja këtë ftesë nga Kombëtarja. Shpresoj të bëj maksimumin për të arritur 3 fitoret në Turqi”, – thotë Caka, ndërsa flet edhe për dy testet ndaj Malishevës e Tiranës. “Grupi po punon shumë mirë, prej gati një jave”, – shpjegon ajo.
“Kemi dhënë maksimumin në ndeshjet ndaj Malishevës së Kosovës dhe Tiranës dhe shpresojmë që me këtë ritëm të vazhdojmë dhe të bëjmë akoma edhe më mirë”, – vijon më tej futbollistja kuqezi. Shorti e ka vënë Shqipërinë në të njëjtin grup me Turqinë, Izraelin e Qipron, teksa Caka shpreson se skuadra jonë do të renditet në vend të parë. “Padyshim që grupi është shumë i vështirë, por shpresojmë që falë punës së bërë nga skuadra dhe trajneri të arrijmë të marrim pikët maksimale” – thotë ajo.
Në mbyllje, futbollistja kuqezi zbulon edhe synimet për të ardhmen. “Si çdo vajzë, edhe dëshira ime është të arrij Kombëtaren e të rriturave dhe të bëj paraqitje sa më të mira për vendin tonë”, – përfundon Fabiola Caka. Pas miqësores së zhvilluar ditën e shtunë ndaj Tiranës, Kombëtarja e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka vijuar edhe ditën e hënë me përgatitjet për ndeshjet eliminatore të fazës së dytë, që do të zhvillohen në Turqi, të vlefshme për Kampionatin Evropian 2022 të kësaj grupmoshe.
Ekipi i vajzave kuqezi, i drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi ka nisur që nga dita e hënë grumbullimin, teksa të martën do të niset drejt Turqisë, atje ku do të luajë 3 sfidat ndaj vendit pritës, por edhe Izraelit dhe Qipros.