AlbanianSport.com 02/04/2022 22:25
ASNN – Trajneri Gega duhet të bëjë pa Mensah, Meksin e Frashërin, në dyshim dhe Berisha e Moraesh. Në takimin e vetëm të javës së 27-të, që është edhe java e fundit e fazës së 3-të të Kategorisë Superiore, që luhet të dielën, Skënderbeu përballet në Durrës me Teutën vendase, me kohën që është gjithnjë e më pak aleate me korçarët.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Skënder Gega mban vendin e fundit në renditje, me 19 pikë të grumbulluara në këto 26 javët e para dhe është 4 pikë prapa Dinamos së vendit të parafundit dhe 8 dhe 9 prapa përkatësisht Egnatias dhe Kastriotit në 4-shen e skuadrave të përfshira në betejën e mbijetesës.
Ndonëse korçarët mund të marrin zemër nga fakti se në dy ndeshjet e fundit kanë marrë nga një pikë karakteri përballë dy skuadrave të forta, si Laçi dhe Kukësi, fitoret e rivaleve në betejën e mbijetesës kanë bërë që Skënderbeu ta gjejë veten në pozitë edhe më të vështirë.
Për këtë arsye, ndeshja me Teutën mbart një rëndësi të veçantë, nëse bardhekuqtë synojnë të nisin ngjitjen, që sidoqoftë do të jetë e vështirë. Skënderbeu ndodhet prej ditësh në Durrës për t;u përgatitur për këtë takim, por trajnerit Gega i duhet të bëjë të dielën edhe pa shërbimin e Mensasë dhe Meksit, të dy të dëmtuar, por edhe Frashërit të pezulluar.
Shqetësim raportohet të kenë ndjerë në stërvitje edhe Berisha dhe Moraesh, të cilët janë në dyshim për sfidën me durrsakët, ndërsa Gega ka kohë deri para ndeshjes për të përcaktuar 11-shen bazë ndaj Teutës, sipas skemës 4-3-2-1. Interesant është fakti se trajneri Gega ka këmbëngulur për një disiplinë më të fortë në skuadër, duke paralajmëruar fillimisht e më pas duke gjobitur Vitijën për thyerje të rregullave.
Po kështu, raportohet se ish-trajneri i Shpresave, por edhe Partizanit dhe Kukësit, ka ndërhyrë edhe në dietën e lojtarëve, duke vendosur kërkesat e tij. Takimi Teuta-Skënderbeu luhet të dielën në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, duke nisur nga ora 16:45.