AlbanianSport.com 02/04/2022 16:10
ASNN – Xhixha godet më shpesh në kuadrat, por Guindo është më i saktë. Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore, nis këtë fundjavë fazën më vendimtare, por edhe më të ngjeshur, pasi nuk do të ketë më asnjë ndërprerje, nga tani e deri në fund. Dhe për këtë pjesë të sezonit ndryshimin e madh pritet ta bëjnë pikërisht sulmuesit. Dhe duke u bërë një analizë të statistikave të sulmuesve që kanë goditur më shumë herë portën këtë sezon, vërejmë disa veçori interesante.
Këtë listë e kryeson Redon Xhixha i Tiranës, i ndjekur nga Aralica i Vllaznisë, Seferi i Tiranës dhe Latifi po i Vllaznisë e të tjerët me radhë. Fakti që jo të gjitha skuadrat janë të përfaqësuara midis 15 lojtarëve më të mirë në këtë renditje specifike nuk vjen vetëm nga fakti se skuadrat që mungojnë në listë godasin më pak portë, por edhe sepse shumë skuadra shpërndajnë më shumë goditje mes lojtarëve të tyre.
Pra, të kesh shumë lojtarë në këtë renditje do të thotë dy gjëra: goditjet e shumta të skuadrës dhe shpërndarja e dobët e goditjeve të skuadrës në portë mes lojtarëve. Përveç këtyre të dhënave që kanë të bëjnë me goditjet në portë, është gjithashtu e rëndësishme të vlerësohet se cilët janë 15 lojtarët të cilët kanë përqindje më të lartë të goditjeve në portë krahasuar me numrin e goditjeve të tentuara.
Prania e të njëjtit lojtar në të dyja renditjet do të thotë, që përveçse godet shumë portën, lojtari arrin të jetë efektiv edhe kur gjuan. Dhe sa u përket lojtarëve që kanë përqindjen e goditjeve më të sakta në portë, ajo kryesohet Guindo i Laçit. Në këtë renditje ndikojnë edhe karakteristikat dhe aftësitë teknike të lojtarëve, të cilat janë elemente vendimtare për shndërrimin e një tentative të thjeshtë gjuajtjeje (që ndikon edhe në personalitetin e lojtarit) në një goditje në portë.