AlbanianSport.com 01/04/2022 21:15
ASNN – Trajneri i Anglisë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,Berhalter, flasin pasi janë njohur kundërshtaret në Botërorin “Katar 2022”. Shorti i fazës së grupeve të Kampionati Botëror, i cili do të mbajë në Katar fazën finale të edicionit të tij të 22-të, ka dhuruar të premte një sfidë interesante anglishtfolësish në grupin B, teksa Anglia do të përballet me Shtetet e Bashkuara, me Iranin por edhe me fituesen e “play-off”-it evropian, pasi Skocia do të ndeshet me Ukrainën në duelin e shtyrë, e më pas, fituesja e tyre do të sfidojë Uellsin për vendin në Botëror.
“SHBA dhe Irani janë dy skuadra me të cilat ne nuk jemi ndeshur prej shumë kohësh, ndërsa kundërshtarja e 3-të është ende e panjohur, por mund të dhurojë një derbi britanik”, – ka deklaruar trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt, duke folur për BBC-në. “Ne duhet së pari të kalojmë grupin, – ka theksuar ai më tej, duke vijuar: “Objektivi ynë i parë është të kalojmë grupin dhe më pas të synojmë për më tepër. Kur je në vazon e parë, ke epërsinë e shmangies së 6-7 rivaleve kryesore dhe unë gjykoj se skuadrat favorite duhet të jenë të kënaqura me shortin.”
“Por kishte disa skuadra interesante në vazon e dytë dhe SHBA-ja është njëra prej tyre. Ata kanë një brez të mirë lojtarësh dhe ne e dimë se çfarë janë në gjendje të bëjnë, kështu që përballja me ta është intriguese”, – ka përfunduar Sauthgejt. Ndërsa trajneri i përfaqësueses së futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Berhalter, deklaroi për BBC-në se: “Mendoj se kemi një grup të mirë. Çdo kundërshtar në Botëror është sidoqoftë i vështirë. Me Anglinë është një përballje interesante, ndërsa me Iranin, që u paraqit mirë në Eliminatore, është një sfidë krej ndryshe.”
“Pastaj duhet të presim për të mësuar kundërshtaren e 3-të, por, në përgjithësi, unë jam i kënaqur me shortin dhe mezi po i pres ndeshjet”, – ka përfunduar ai. Anglia ndeshet me Iranin në ndeshjen e parë të Grupit B, më 21 nëntor, për ta luajtur 4 ditë më pas sfidën me SHBA-në dhe më 29 nëntor 2022 ndeshjen e 3-të.