AlbanianSport.com 31/03/2022 19:25
ASNN – Gjyqtari shqiptar, Enea Jorgji, ka treguar se pas ndeshjes Turqi-Itali 2-3, ka marrë pafund vlerësime nga të gjithë kolegët, qofshin ata të huaj, por edhe shqiptarë. Paraqitja e tij është vlerësuar edhe nga dy skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjes, ndërsa thotë se përmes kësaj paraqitjeje gjyqtarët shqiptarë po japin sot shembullin e tyre. “Jam i lumtur, pasi përsa ndjej, gjithçka shkoi mirë, por edhe skuadrat e zyrtarët mbetën të kënaqur sepse na përshëndetën në fund për punën e bërë, – ka rrëfyer “bilbili” shqiptar. – Nga kolegët shqiptarë sigurisht që kam marrë pafund urime, por sigurisht që kam marrë edhe nga kolegët jashtë shumë urime.”
“Kjo do të thotë që fokusi ka qenë i madh në këtë ndeshje dhe mbi të gjitha, kjo paraqitje tregon se jemi të aftë të përfaqësojmë në të tjera nivele, – ka vijuar ai. – Pra, si ata gjyqtarpt që ne ndoshta i shohim si shembuj, sot, pse jo, mund të japim shembullin tonë në fushë, në të tilla nivele dhe jo vetëm.” Jorgji tregohet modest fillimisht kur pyetet nëse ndihet krenar për arritjet e tij, teksa shprehet se ndihet mirë kur nga opinioni dhe të gjithë sportdashësit shihet si gjyqtari që po gjykon ndeshje me të tilla skuadra. “Kësaj pyetje e kam pak të vështirë t’i përgjigjem, por sigurisht që jam krenar, kjo është mëse normale”, – thotë gjyqtari.
“Çfarë më bën edhe më shumë krenar është fakti që sot opinioni, njerëzit, sportdashësit, nuk më shohin më si gjyqtari që përfaqësonte Shqipërinë deri në një limit të caktuar, por tani kemi kaluar edhe më lart dhe po jap shembullin tim se dimë të përfaqësojmë veten në të tilla nivele dhe jemi të denjë për ta bërë këtë punë në cilësinë e duhur, – vijon ai. – Sigurisht që kjo kërkon më shumë punë nga ana ime, për t’u rritur kapacitetin profesional.” Në fund, Enea Jorgji thekson se ka si objektiv të gjykojë sa më shumë ndeshje të këtij niveli si dhe ndeshje në veprimtarinë më të rëndësishme të klubeve të Evropës, në Ligën e Kampioneve.
“Dua të gjykoj në më shumë ndeshje të tilla dhe të kapim edhe ato veprimtari që deri më tani kanë qenë një tabu. Besoj se disa prej tyre i kemi thyer dhe kjo ndeshje ishte një nga ato sfida ku kemi dalë kokë lartë. Qëllimi është të kem vazhdimësi në Ligën e Evropës, për të gjykuar më shumë në këtë veprimtari dhe, në një të ardhme të afërt apo të largët, të shpresoj për në Ligën e Kampioneve e më pas të shohim. Puna do tregojë se sa larg do të mund të shkoj!”, – ka përfundon gjyqtari shqiptar, Enea Jorgi.