AlbanianSport.com 30/03/2022 20:10
ASNN – Sektori i përgatitjes atletike në Drejtorinë e Edukimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka zhvilluar të mërkurën në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit një takim, ku morën trajnerët dhe përgatitësit atletikë nga Vlora, Lushnja dhe Berati dhe u diskutua për zhvillimet e fundit rreth rendimentit fizik në futboll.
Ky takim u organizua dhe udhëhoq nga përfaqësuesit e këtij sektori, Luixhi Febrari, Luka Laurenti dhe Iris Selimi, të cilët fillimisht kanë trajtuar aspektet teorike të përgatitjes fizike për të bërë një përditësim të njohurive të trajnerëve atletikë që punojnë me klubet e futbollit.
Pas prezantimeve të Febrarit, Laurentit dhe Selimit në pjesën teorike takimi u zhvendos në fushë për të vijuar me pjesën praktike të këtij trajnimi. Në këtë pjesë të dytë të takimit, trajnerëve pjesëmarrës u janë shpjeguar ushtrimet praktike të bazuara në specifikat e futbollit.
Edhe ky takim ishte në vazhdën e seminarëve, kurseve dhe trajnimeve që Federata Shqiptare e Futbollit organizon prej kohësh për të përmirësuar nivelin e përgatitjes atletike në futbollin shqiptar, duke specializuar profesionistët që punojnë me ekipe sportive dhe duke ecur me hapin e zhvillimeve më të fundit.
Organizmi që qeveris lojën më popullore në vend ka bërë të ditur se këto takime do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë për të rritur cilësinë e stafeve teknike të ekipeve të futbollit dhe për t’i ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë për vlerat që ka përgatitja e duhur atletike në sport.