AlbanianSport.com 30/03/2022 17:10
ASNN – Presidenti Duka pret drejtuesit e Federatës Afgane, ofron mbështetjen e FSHF me ambiente, bazë materiale e fusha stërvitore. Një delegacion nga Afganistani që kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit, Fazil Mohamad Shahab, ka vizituar mjesidet e “Shtëpisë së Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e re e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Afgane, punonjës së sa, si përgjegjësit e marrëdhënieve me publikun, financës, trajneri i skuadrës së femrave, skuadra e futbollit të femrave, etj.
Delegacioni afgan u prit nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, si dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha. Miqtë fillimisht bënë një vizitë në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, si dhe në Muzeun e FSHF-së. Gjatë takimit, Presidenti Duka u uroi mirëseardhjen miqve nga Afganistani dhe theksoi se FSHF-ja është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për nevojat e Federatës Afgane të Futbollit. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar u shpreh se FSHF-ja do të ofrojë bazën materiale për stërvitje, fusha stërvitore dhe ofrimin e ndeshjeve miqësore me ekipin e vajzave.
Gjithashtu, do t’u ofrohen zyra në “Shtëpinë e Futbollit” për stafin e Federatës së Afganistanit gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri si edhe do të vlerësohen mundësitë e bashkëpunimit dhe komunikimi mes palëve do të jetë i vazhdueshëm. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit e falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë, teksa u shpreh i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin midis dy federatave. Më pas delegacioni u shoqërua për në stadiumin “Air Albania”, ku ndoqën nga tribuna VIP ndeshjen miqësore Shqipëri-Gjeorgji.
Një grup prej rreth 150 personash nga Afganistani, ku përfshihen zyrtarë të Federatës Afgane të Futbollit dhe skuadrën e futbollit të femrave, ndodhen aktualisht në Shqipëri. Ata janë shpërngulur nga vendi i tyre për arsye të situatës së vështirë atje, dhe janë evakuuar fillimisht nga Afganistani, për në Katar dhe më pas në Shqipëri, me ndihmën e FIFA-s, por edhe në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Afganët ndodhen në Shqipëri përkohësisht në statusin e të mbrojturve, dhe do të transferohen më pas në Kanada.