AlbanianSport.com 28/03/2022 17:55
ASNN – Gjeorgjia përballet të martë në një miqësore me Shqipërinë, duke ardhur pas fitores minimale të premten në miqësoren e zhvilluar në Bosnjë-Hercegovinë me përfaqësuesen vendase. Dhe trajneri Vili Sanjol i ka të qarta pritshmëritë për skuadrën e tij. “Sa i përket ndeshjes tonë të martën me Shqipërinë, pritshmëritë e mia janë të njëjta me ato që kisha të premten e shkuar në Bosnjë-Hercegovinë”, – ka thënë ai fillimisht.
“Unë dhe stafi im teknik kemi qenë të qartë në atë që duam t’i përdorim këto dy ndeshje miqësore për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve në qershor, – ka vijuar francezi. – Por ju e dini që skuadra përfaqësuese është edhe çështje paraqitjeje dhe pres që skuadra ime të ruajë të njëjtën dinamikë që kemi adoptuar para 6 muajsh, në tetor të vitit të shkuar, dhe, pas ndeshjes me Bosnjën isha shumë i lumtur me disiplinën, por edhe me shpirtin e skuadrës dhe, po, ndaj Shqipërisë pres të njëjtën lloj paraqitjeje.”
Lidhur me sfidën me kuqezinjtë, ish-lojtari i njohur i Francës dhe Bajernit të Mynihut, ka folur me superlative për ekipin shqiptar, duke thënë: “I njoh mjaft mirë, edhe sepse është puna ime të mësoj shumë për kundërshtarët. Sigurisht, Shqipëria, dhe kjo u pa edhe para pak ditësh me Spanjën, është një skuadër e fortë, me disa lojtarë interesantë, që luajnë në disa klube të mira, dhe e kam fjalën për Gjimshitin, për Brojën, që janë lojtarë që njihen mirë tashmë edhe në Evropë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por po kështu ishte edhe ajo në Bosnjë-Hercegovinë.”
Përtej mungesave tek Shqipëria, 45-vjeçari nuk pret ndryshim të lojës së skuadrës së homologut italian, Edoardo Reja. “Në futboll mund të ketë gjithmonë të papritura, – ka thënë Sanjoli. – Ne nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë të mërkurën, sepse, siç e thashë, Shqipëria luajti para pak ditësh në Spanjë, u lodhën shumë dhe kanë udhëtuar më pas, ndaj disa prej lojtarëve mund edhe të jenë lodhur, çka është e kuptueshme. Pra, mbase do të ketë ndryshime në formacion, por, ku e shohim Shqipërinë në muajt dhe vitet e fundit, ajo nuk para e ndryshon sistemin apo mënyrën e saj të lojës.”
“Por, më e rëndësishme për ne është të ruajmë disiplinën dhe shpirtin e skuadrës, për të pritur më pas edhe një rezultat pozitiv”, – ka përfunduar trajneri francez i Gjeorgjisë, Vili Sanjol.