AlbanianSport.com 13.12.2014 13:05
ASNN – Nën drejtimin e trajnerit vlonjat Shpëtim Imeraj, Himara është duke vazhduar përgatitjet intensive për ndeshjen e radhës me Tepelenën. Një sfidë kjo shumë e rëndësishme dhe tepër delikate për vazhdimësinë dhe për arritjen e objektivit, ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Himara aktualisht renditet në vendin e dytë me 19 pikë, dy pikë më pak se Gramshi kryesues. Në një deklaratë dhënë për shtypin sportiv shqiptar, mesfushori i Himarës, Sandi Brozi, që është një nga lojtarët më aktiv në këtë skuadër ka treguar: “Ndaj Tepelenës do të luajmë vetëm për një rezultat pozitiv”.
“Pavarësisht se luajmë në fushë të huaj, kudo dhe sido që luajmë, në fund të fundit, llogaritë i bëjmë që nga çdo ndeshje të dalim me pikë, – ka vijuar ai. – Edhe me Tepelënën do të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv. Tepelenën e vlerësojmë për ekipin që ka dhe futbollistet që ka në përbërje, por ne udhëtojmë vetëm për një rezultat pozitiv.”