AlbanianSport.com 26/03/2022 17:55
ASNN – Rebelët “Huthi” të Jemenit kanë sulmuar të premten një rafineri nafte shumë pranë pistës së Xhid’das, aty ku do të zhvillohet gara e dytë e Botërorit të Formulës 1. Zhurma dhe tymi i madh i ka shqetësuar të gjithë pjesëtarët e Formulës 1. Por autoritetet saudite i kanë siguruar drejtuesit e Formulës 1 të vazhdojnë me programin e garës. Kështu, si pjesë e një vale sulmesh, rebelët jemenas sulmuan një rafineri saudite të naftës, duke shkaktuar një zjarr të madh, të dukshëm edhe nga pista e Formulës 1 në Xhid’da.
Tymi erdhi shumë pranë pistës ndërsa pilotët po kryenin xhirot e provave të lira, në kuadër të Çmimit të madh të Arabisë Saudite. I pari që ka përcjellë shqetësimin e tij ka qenë kampioni i botës, piloti i “Red Bull”-it, Maks Verstapen, duke thënë se ai ndjente erën e tymit ndërsa drejtonte makinën e tij. “Më vjen era djegie… është makina ime?” – e pyeti holandezi ekipin e tij përmes radios. Më pas vijuan orë tensioni dhe ankthi në Xhid’da, ku këtë fundjavë do të zhvillohet gara e dytë e Botërorit 2022 të Formulës 1.
Të gjithë pjesëtarët e garës kanë parë të shqetësuar renë e madhe të tymit që ngrihej vetëm 11 km larg pistës. Sipas njoftimeve që erdhën nga gazetarët e pranishëm, bëhej fjalë për një sulm të radhës të një grupi rebelësh jemenas ndaj një stabilimenti nafte. Ky i ndodhur së fundi duket se kishte si qëllim anulimin e garës së Formulës 1 në Arabinë Saudite. Stefano Domenikali ka mbledhur menjëherë bordin drejtues për të vendosur se çfarë do të bëhej në mënyrë që të mos rrezikohej jeta e askujt nga pjesëtarët e garës.
Pasi autoritet arabe kanë garantuar sigurinë, por edhe pas një diskutimi që ka zgjatur deri në orët e vona të natës, drejtuesit e Formulës 1, së bashku me pilotët kanë vendosur që gara të bëhet.