AlbanianSport.com 25/03/2022 22:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka përmbyllur këtë të premte përgatitjet për miqësoren e 26 marsit ndaj Spanjës. Kuqezinjtë kanë mbërritur rreth orës 17:00 në Stadiumin “RCDE” të Barcelonës për të zhvilluar seancën zyrtare stërvitore, ndërsa grupi është i plotë dhe nuk ka asnjë mungesë.
Seanca ka zgjatur 1 orë dhe stafi teknik ka provuar më së shumti skema të ndryshme taktike, ndeshje kontrolli dhe pak ngarkesë fizike. Tashmë, pas 5 ditësh përgatitje intensive gjithçka është gati për miqësoren Spanjë-Shqipëri, që luhet më 26 mars duke filluar nga ora 19:45 në Stadiumin “RCDE” të Katalonjës.
Kujtojmë se kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve, të cilat deri më tani kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës 7 sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore. Ndeshja e parë mes dy vendeve është luajtur më 3 dhjetor të vitit 1986 në stadiumin “Qemal Stafa” ndërsa e fundit më 6 tetor 2017.