AlbanianSport.com 25/03/2022 16:25
ASNN – Olmo dhe Markos Alonso kërkojnë maksimumin, Luis Enrike, skemat në ekran. Spanja përballet të shtunën me Shqipërinë, në një ndeshje që, sikundër edhe atë të së martës ndaj Islandës, trajneri Luis Enrike nuk pranon t’i cilësojë si thjesht miqësore. Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe futbollistët e përfaqësueses iberike, Dani Olmo dhe Markos Alonso, ndërsa Luis Enrike ka gjetur edhe një mënyrë të re për të shpjeguar skemat.
Përfaqësuesja e Spanjës në futboll është në përgatitjet e fundit për sfidën e së shtunës me Shqipërinë, që sikundër edhe atë të së martës ndaj Islandës, trajneri Luis Enrike nuk pranon t’i cilësojë si thjesht miqësore. Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe futbollisti i përfaqësueses iberike, Dani Olmo, i cili, i cituar nga mediat spanjolle, deklaroi: “Kur vjen në skuadrën përfaqësuese, vjen për të dhënë 100 % tënd. Këtu konkurrenca është e jashtëzakonshme, prandaj duhet të jesh në 100 %.”
“Për më tepër, këto nuk janë miqësore, sepse ne shkojmë për t’i fituar ato ndeshje”, – ka përfunduar Olmo. Për herë të parë në 12 vitet e fundit, midis 23 lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Luis Enrike për miqësore e së shtunës me Shqipërinë nuk ka asnjë “kampion bote”. Por për futbollistin tjetër të përfaqësueses spanjolle, Markos Alonso, kjo nuk përbën problem. “Përvoja është e rëndësishme, sigurisht, dhe kur ke fituar trofe të ndihmon në një Kampionat Botëror”, – tha ai.
“Por, në fund të fundit, të gjithë ne kemi përvojën e të luajtur në finale të mëdha apo nëpër ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë”, – ka deklaruar Markos Alonso, duke shtuar: “Shpresojmë që sidoqoftë të kemi një kampion bote si Buskets, i cili padyshim do të jetë një ndihmë e madhe për të rinjtë dhe ne të tjerët që nuk kanë luajtur në një Botëror.” Ditët e fundit, trajneri i përfaqësueses iberike ka zgjedhur që seancat stërvitore t’i zhvillojë me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.
Ndërsa risia më e madhe ka qenë ekrani i madh televiziv që Luis Enrike ka instaluar në kompleksin stërvitor të përfaqësueses, me anë të të cilit ai ka vijuar t’u tregojë lojtarëve gabimet e bëra në ndeshjet e mëparshme apo edhe në stërvitje, dhe t’i korrigjojë ato. Instalimi i këtij ekrani 6 metra të gjerë dhe 3 metra të gjerë ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave vendase.
Trajneri spanjoll ka braktisur mënyrat tradicionale të shpjegimit të taktikave të tij, duke përqafuar fjalën më të fundit të teknologjisë, që i kursen atij kohë, por edhe e bën edhe më të lehtë përcjelljen e ideve dhe skemave të tij. Përballja e Spanjës me Shqipëria do të luhet në Stadiumin RCDE të Espanjolit dhe ky takim që do të sillet më 26 mars për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 19:45.