AlbanianSport.com 24/03/2022 20:55
ASNN – Dy lojtarët e përfaqësueses shqiptare, Armando Broja dhe Herdi Prenga, dolën sot në një konferencë për mediat nga grumbullimi i Kombëtares në Barcelonë. Pas Brojës, fjalën e mori mbrojtësi Herdi Prenga, një nga lojtarët e rikthyer pas një shkëputjeje në Kombëtare e që po kalon një formë mjaft të mirë me klubin në Hungari, duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit elitar hungarez me Kisvardas.
Prenga uron që të ketë mundësi të luajë në këto dy miqësore, për të shpërblyer edhe besimin e stafit teknik me paraqitjet e tij në fushë. “Kam qenë në kombëtare para katër vitesh, kur ishte trajner Panuçi, – ka thënë ai fillimisht. – Sigurisht jam i kënaqur që jam sërish me çunat dhe kombëtaren. Falënderoj trajnerin për ftesën, do të jap maksimumin dhe do të mundohem të ndihmoj ekipin. Minutat që kam pasur në Hungari më kanë ndihmuar të jem sërish në Kombëtare.”
“Jam paraqitur mirë aty dhe mora ftesën, – ka vijuar djali i ish-futbollistit dhe trajnerit Besnik Prenga. – Sigurisht, ata janë lojtarë që luajnë në një nga kampionatet më të fortë në botë, kanë eksperiencë, kualitet dhe mund të mësoj shumë gjëra nga ata. Unë do të jap maksimumin në stërvitje, pastaj e vendos trajneri sa minuta do të më japë ose nuk do të më japë. Të shohim. Nuk ka qenë e lehtë. Panuçi dhe Reja kanë pak ndryshime. Atmosfera është shumë e mirë sërish.”
“Stërvitjet janë pak të ndryshme në anën teknike, por secili trajner ka stilin e vet. Me klubin në Hungari ndihem shumë mirë, e kam gjetur veten aty. Ekipi është i mirë dhe rezultatet janë shumë të mira. Kam qenë mirë, në gjysmësezonin e parë isha mbrojtësi më i mirë dhe në formacionin ideal. shpresoj të vazhdoj ashtu dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Duhet pritur fundi i sezonit, unë do të jap më të mirën dhe të shohim çfarë do të ndodhë”, – ka përfunduar Herdi Prenga.