AlbanianSport.com 24/03/2022 20:10
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve në futboll vijon grumbullimin në prag të dy sfidave miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës, më 26 dhe 28 mars 2022. Të 22 lojtarët e ftuar nga trajneri Armando Cungu, prej të cilëve 14 luajnë në kampionatet e huaja, ndërsa 8 në kampionatin shqiptar, po zhvillojnë stërvitje intensive në kampin e tyre stërvitor në Durrës, duke u përgatitur në mënyrën më të mirë për këto dy ndeshje.
Dario Daka dhe Renaldo Torraj, dy futbollistët që aktivizohen jashtë vendit nuk i fshehin emocionet teksa flasin për ftesën nga Kombëtarja. Futbollist i skuadrës së Leçes në Itali, Dario Daka ndihet i lumtur që është pjesë e grumbullimit, teksa vlerëson edhe grupin e shokëve kuqezi. Pa punë nuk arrihet askund në futboll thotë Dario Daka ai cili një ditë ëndërron të veshë fanellën e skuadrës së madhe të Shqipërisë.
“Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur që jam pjesë e Kombëtares, – thotë ai. – Jemi një grup shumë i madh dhe shumë i mirë, luajmë në vende të ndryshme në Evropë. Ky grup mund të luajë shumë mirë dhe mund të fitojmë shumë ndeshje nëse luajmë mirë.” Po cilat janë synimet për të ardhmen? “Gjëja më e bukur është të vesh fanellën e ekipit të parë dhe të luaj në kampionatet më të forta në Evropë, – përgjigjet Daka. – Në futboll duhet punuar shumë që të arrish në nivele të larta dhe pa punë nuk arrihet askund”.