AlbanianSport.com 24/03/2022 18:40
ASNN – Armando Broja dhe Herdi Prenga ishin dyshja e radhës nga Kombëtarja që folën në prag të ndeshjeve kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë. Dy lojtarët e përfaqësueses shqiptare dolën në një konferencë për mediat nga grumbullimi i Kombëtares në Barcelonë. Sulmuesi kuqezi, i cili është njeriu i momentit dhe një nga futbollistët më në formë të Kombëtares, ishte i pari që foli dhe thekson se janë gati. Për Brojën ekipi do të luajë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Spanjës, pavarësisht se luhet ndaj një prej skuadrave më të mira në botë.
Gjithashtu, talenti kuqezi ka komentuar edhe situatën me Sauthemptonin, rritjen e tij dhe të ardhmen, teksa ka edhe një mesazh për tifozët që e mbështesin aq shumë. “Jemi gati fizikisht si ekip, e dimë se do të jetë ndeshje e vështirë kundër Spanjës, – ka deklaruar ai fillimisht. – Grumbullimi po shkon shumë mirë deri, po stërvitemi mirë. Urojmë të fitojmë kundër Spanjës. Kam luajtur kundër dy mbrojtësve të Spanjës, por është ndeshje ndryshe. Do jetë shumë e vështirë nesër, Spanja ka ekip të fortë, por edhe në jemi ekip i mirë. Kemi cilësi si ekip. Po stërvitemi mirë dhe uroj të fitojmë.”
Natyrisht, kalimi nga Holanda në Premier Ligën Angleze është një hap i madh. “Jam rritur ma shumë si djalë, kam mësuar më shumë te Sauthemptoni, – ka pohuar Broja. – Deri tani po më shkon shumë mirë. Duhet të vazhdoj kështu përpara, të ndihmoj ekipin dhe të luaj më mirë për veten time dhe të shkoj përpara. Ka qenë një kapërcim i mirë, një hap i madh kaloja nga Vitese tek Sauthemptoni, është kapërcim i madh nga Holanda në Premier Ligë. Kam besuar te vetja, jam i lumtur për këtë kapërcim. Dua të vazhdoj përpara.
“E ardhmja do ketë ulje-ngritje, por dua të eci, përpara duke u stërvitur mirë dhe fort, – ka vijuar 20-vjeçari. – Me këmbë në tokë e duke punuar arrihen shumë gjëra. Ne futemi në fushë për të fituar ndeshjet, ndaj kujtdo. Spanja ka ekip të fortë. Kemi ekip të mirë dhe të fortë, nuk kemi frikë asnjë ekip. Do të luajmë me taktikat tona dhe shpresoj të fitojmë. Miqësoret janë të mira për të fituar përvojë, uroj të fitojmë ndaj Spanjës.” Më tej, shtatlarti i Kombëtares kuqezi ka folur edhe për këtë sezon të tij në nivelin më të lartë të futbollit ang;ez.
“Edhe e prisja dhe nuk e prisja ta nisja kaq mirë, – e ka pranuar ai. – E dija se ishte e vështirë në sezonin e parë në Premier Ligë, por kam pasur besim te vetja. E dija se me stërvitje dhe këmbë në tokë do bëja mirë. Shpresoj të vazhdoj përpara. Tani jam i fokusuar vetëm te Sauthemptoni, dua ta mbyll mirë sezonin. Dua të fokusohem të vetja dhe ekipi. Jam lojtar i Chelsea, nuk dua të shoh shumë përpara, thjesht dua të vazhdoj të luaj mirë dhe të stërvitem mirë. Të shohim në fund të sezonit. Faleminderit shumë tifozëve për mbështetjen.”
“Vazhdoni të më mbështesni mua, FSHF-në dhe shpresoj me fitore kundër Spanjës. Kemi një grup shumë të mirë, trajner të mirë. Si grup dhe duke marrë rezultate dhe eksperiencë, mendoj se kemi një shans të mirë të futemi në Europian ose Botëror. Uroj ta arrijmë atë nivel, do ishte një gjë shumë e mirë për Shqipërinë”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares kuqezi, Armando Broja.