AlbanianSport.com 23/03/2022 20:25
ASNN – Indrit Tuci rikthehet në Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve pas një kohe të gjatë, për shkak të një dëmtimi që e mbajti larg nga kuqezinjtë. Sulmuesi shqiptar duket në një formë të mirë, teksa ka arritur të bëhet edhe protagonist me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci. Tucit nuk i mungon besimi te grupi kuqezi për të dalë më pikë nga këto dy ndeshje, teksa bën një thirrje edhe për të gjithë tifozët për t’i mbështetur në stadium
– Si është forma e Tucit?
– Fizikisht ndihem shumë mirë, me ekipin po punojmë shumë mirë me trajnerin. Besoj se jemi në një gjendje të mirë dhe gati për ndeshje. Po vij te forma ime më e mirë pas një dëmtimi të gjatë dhe po e marr veten.
– Si duket grupi i kuqezinjve?
– Kam shumë besim tek ekipi ynë, shoh edhe fytyra të reja që nuk i kam parë te grumbullimet e kaluara. Çunat duken mjaft mirë dhe besoj që do bëjmë dy ndeshje mjaft të mira.
– Cilat janë synimet e skuadrës?
– Ne po luftojmë për vendin e dytë, vendin e parë. Besoj që në ndeshjet e ardhshme do të nisim të hakmerremi nga ai rezultat i thellë që u mundëm në Republikën Çeke. Besoj që do ia dalim me sukses.
– A keni ju një thirrje për tifozët?
– Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne, besoj që do vijnë në stadium dhe do të na mbështesin.