AlbanianSport.com 22/03/2022 18:10
ASNN – Kombëtarja kuqezi e Nën-21-vjeçarëve ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në kuadër të dy sfidave zyrtare për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2023 për këtë grupmoshë, ndaj Anglisë dhe Republikës Çeke. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi skuadra po punon dhe po stërvitet intensivisht për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë në këto dy sfida.
Dhe pas seancave stërvitore, të martën janë prononcuar dy prej futbollistëve të talentuar të Shqipërisë së kësaj grupmoshe, Eljon Toçi dhe Roi Syla, të cilët kanë folur në lidhje me objektivat për këto dy ndeshje, praninë e tyre te Kombëtarja si dhe synimet personale. Toçi cili aktivizohet te skuadra e Nën-19-vjeçarëve të Fiorentinës dhe ku po bën mjaft mirë këtë sezon, duke realizuar edhe gola nuk e fsheh lumturinë kur pyetet si e priti ftesën nga Kombëtarja, teksa premton se do të japë maksimumin.
– I lumtur për ftesën nga Kombëtarja?
– Jam shumë i lumtur. Cilësia është shumë e madhe tek ekipi i Nën-21-vjeçarëve, edhe pse janë mosha më të mëdha, por kjo nuk do të më ndalë. Do të mundohem të jap maksimumin për skuadrën dhe për Kombëtaren.
– Si të ka pritur skuadra?
– Më kanë pritur të gjithë shumë mirë, kjo është hera e tretë që unë vij në këtë ekip dhe djemtë janë shumë mikpritës.
– Si do ta përshkruash atmosferën në skuadër?
– Jemi shumë të qetë, sepse e dimë se çfarë ndeshjesh duhet të bëjmë. Janë skuadra shumë të forta, por ne do bëjmë lojën tonë dhe do të ecim përpara.
– Anglia?
– Është skuadër shumë e fortë sipas meje dhe duhet të bëjmë shumë mirë.
– Cilat janë synimet në aspektin personal?
– Objektivi im personal është të luaj sa më shpejt me Kombëtaren e të rriturve.