AlbanianSport.com 22/03/2022 18:55
ASNN – Pas Adrian Bajramit, në konferencën për shtyp të së martës, fjalën e mori portieri Elhan Kastrati, i cili rikthehet në kombëtare pas ndeshjeve në Ligën e Kombeve të Evropës, ku ai ishte në stol. “Jam shumë i lumtur që rikthehem këtu, – ka thënë ai fillimisht. – Kam qenë edhe një herë kur trajner ishte Kristian Panuçi. Me trajnerin Edoardo Reja është hera e parë dhe gjithmonë është krenari të përfaqësosh Kombëtaren. Kështu që jam mëse i lumtur.”
Në Itali luajnë disa portieri shqiptarë dhe Kastrati tregon edhe pse atje ka “gardianë” të mirë: “Italia është një shkollë e mirë për portierët. Jam rritur atje që i vogël. Punojnë pak më ndryshe se gjithë vendet e tjera, ndaj ka edhe portierë me më shumë cilësi.” Duke e ndjekur nga jashtë, Kastrati ka krijuar edhe një mendim për kombëtaren shqiptare: “Shqipëria në këto momente ka një grup cilësor. Nuk ka nevojë ta them unë, e thonë edhe rezultatet.”
“Grupi është me të vërtetë shumë i mirë dhe mund të arrijmë diçka shumë të madhe, sa i përket Eliminatoreve, – ka vijuar ai. – Grupi është shumë i mirë.” I pyetur në lidhje me objektivat në dy miqësore e këtij muaji, portieri shtoi: “Objektivi varet edhe nga kundërshtari. Me Spanjën rezultati është pak më i vështirë për t’u arritur, por megjithatë do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Pastaj sa i përket një kundërshtari si Gjeorgjia, edhe rezultati është shumë i rëndësishëm.”
“Për Shqipërinë kur ndeshet me skuadra mesatare le të themi, nuk janë miqësore, por ndeshje ku duhet të marrim maksimumin”, – shtoi Kastrati, i cili foli më pas edhe për ecurinë e tij në Serinë B. “U bë viti i dytë që jam te Çitadela, – ka sqaruar ai. – Vjet nga janari zura edhe formacionin, po luaj rregullisht. Vjet fatkeqësisht humbëm finalen për të hyrë në Serinë A. Këtë vit objektivat ishin po të njëjta, që të luftojmë të jemi në zonën e “play-off”-it dhe më pas të luftojmë për Serinë A.”
“Jam më se i lumtur atje”, – ka shtuar portieri kuqezi. Ashtu si Bajrami, edhe portieri Elhan Kastrati pati një mesazh për tifozët: “Tifozët janë gjëja më kryesore për ne futbollistët. Kështu që është e rëndësishme që ata të na mbështesin si në ndeshjen me Spanjën që luajmë jashtë, ashtu edhe në ndeshjen me Gjeorgjinë në shtëpi. Do të ishte diçka shumë e bukur ta shohim stadiumin plot.”