AlbanianSport.com 22/03/2022 17:25
ASNN – Adrian Bajrami dhe Elhan Kastrati janë dy nga risitë në kombëtaren e Shqipërisë në prag të ndeshjeve miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Mbrojtësi i Benfikës ka ndarë me të gjithë lumturinë që ka ndjerë për ftesën e marrë dhe më pas ka folur edhe për tema të tjera. “Normalisht që jam shumë, shumë i lumtur të jem pjesë e kombëtares. Shpresoj të ndihem edhe më mirë, të përshtatem sa më shpejt dhe të arrijmë sa më shpejt te ndeshja”, – u shpreh Bajrami, i cili më pas u pyet edhe në lidhje me interesimin e Zvicrës dhe zgjedhjen për të përfaqësuar fanellën kuqezi.
“Jam shqiptar, – tha mbrojtësi. – Kam lindur e jam rritur në Zvicër, kam kaluar shumë vite në Zvicër me futbollin. Pastaj kam shkuar te Benfika dhe po bëj 4 vite aty tani. Në fund e kam zgjedhur Shqipërinë se jam shqiptar.” I pyetur se kush janë shembujt e tij në kombëtare, Adriani tha: “Berat Gjimshiti normal, edhe Kumbulla. Të gjithë janë shumë të mirë, janë si idhuj për mua. Mund të mësoj shumë prej tyre dhe shpresoj të mësoj”. Bajrami foli edhe për ditën e parë me kombëtaren: “Ishte shumë mirë dita e parë për mua.”
“Mendova se do të ishte më e vështirë, por në fakt nuk ishte, – ka vijuar ai. – Janë disa lojtarë që luajnë në Zvicër, apo Berat Gjimshiti që flet gjermanisht edhe ai. Ata më afruan më shumë me skuadrën. Kishim stërvitje dhe kaloi shumë mirë. Shpresoj të përshtatem edhe më mirë.” Bajrami është në pritje të pasaportës kuqezi, ndërsa sportitivisht ai ndihet gati të luajë: “Shpresoj të marr pasaportën, unë jam gati dhe në formë. Kam luajtur gjithmonë me Benfikën, jam kapiten i ekipit aty. Tanimë unë jam gati.”
Në lidhje me përvojën tek Benfika, apo për një kalim të mundshëm në Serinë A, Bajrami deklaroi: “Është kënaqësi e madhe të luash për një klub si Benfika. Kam mësuar shumë atje, jam rritur si person dhe futbollist atje. Me kalimin e kohës do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Unë në Serinë A? Mund të ndodhë, por për momentin jam i fokusuar te Benfika dhe te karriera që kam aty. Çfarë do të ndodhë mbetet për t’u parë.” Në fund Bajrami kishte edhe një mesazh për tifozët e kombëtares shqiptare.
“Shpresojmë që të vijnë të gjithë, të na mbështesin. Ne do të japim maksimumin për fanellën kuqezi. Jemi shqiptarë dhe do të luftojmë brenda fushës”, – përfunduar futbollisti i Kombëtares kuqezi, Adrian Bajrami.