AlbanianSport.com 20/03/2022 19:40
ASNN – Federata Ballkanike e Volejbollit (BVA) ka zhvilluar të shtunën në Turqi, në Stamboll, takim të zgjeruar, ku ka marrë pjesë edhe president i Konfederatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boriçiç. Në këtë takim, Shqipëria është përfaqësuar nga President i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Albens Vokopola.
Takimi kishte në qendër të vëmendjes vlerësimin e gjendjes së sportit të volejbollit në rajonin e Ballkanit, sfidat me të cilat përballet dhe projektet e përbashkëta për të ardhmen. “Si Konfederatë e Volejbollit Evropian, ne jemi shumë të lumtur që jemi këtu së bashku, – ka deklaruar President i CEV-it, Aleksandar Boriçiç. – Si Federatë Ballkanike e Volejbollit ne kemi çelur një kapitull të ri pas Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur së fundmi.”
“Është shumë e rëndësishme për volejbollin që kemi një komunikim të vazhdueshëm dhe duam që kjo të vazhdojë në këtë epokë të re”, – shtoi Boriçiçi. Takimi i Vlerësimit të Gjendjes së Federatës Ballkanike të Volejbollit vijoi më pas me një diskutim të zgjeruar, ku u shkëmbyen përvoja dhe këndvështrime dhe u hodhën ide të ndryshme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti në Gadishull.