AlbanianSport.com 20/03/2022 18:55
ASNN – Teuta shtang Laçin, e mund 1-0 në shtëpi, Skënderbeu dhe Kukësi ndajnë nga një pikë. Kështu, të dielën Teuta ka shtangur Laçin, duke e mundur 1-0 në shtëpi, ndërsa në takimin e luajtur më vonë, Skënderbeu dhe Kukësi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila. Këto ishin edhe dy takimet që kanë mbyllur java e 26-të e Kategorisë Superiore.
Në ndeshjen e luajtur më herët, Teuta ka korrur një fitore cinike në Laç përballë skuadrës vendase, teksa një gol i vetëm i shënuar në pjesën e dytë i ka mjaftuar për të marrë 3 pikë të vyera, që e largojnë edhe më tepër nga zonë e ftohtë e rënies nga Kategoria. Ndërkaq, kurbinasit mbeten edhe më prapa Tiranës në betejën për titull, teksa kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur.
Kjo ndeshje ka qenë rasti klasik i një ndeshjeje ku njëra skuadër, në rastin konkret ajo kurbinase, bën gjithçka, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, ndërsa skuadra mike bën atë që i duhet, gjen golin që do t’i japë fitoren. E teksa Laçi sulmon, ndërton raste për shënim dhe shpërdoron, kjo kryesisht për meritë të gardianit të portës durrsake, Qirko, që nuk e lejon prekjen e rrjetës së tij, i ndihmuar edhe nga mbrojtja e tij, është Teuta që 4 minuta më pas gjen edhe golin e fitores.
Është Hebaj, i cili u fut në lojë në minutën e 65-të, ai që do të reagojë shpejt në minutën e 73-të, kur do të përcjellë në rrjetë topin e devijuar nga portieri vendas, Dajsinani. 17 minutat e mbetura dhe ato 5 shtesë do të shohin Laçin të sulmojë, por Teuta mbrohet mirë dhe arrin ta ruajë fitoren, duke e thelluar ndërkohë krizën e kurbinasve, që prej një muaji dhe 5 ndeshjesh, nuk e shijon fitoren.
Ndërkaq, mbyllet 1-1 në Korçë, atjet gjithçka vendoset nga dy goditje nga pika e bardhë. Takimi i fundit i javës së 26-të të Kategorisë Superiore ishte ai që u luajt në mbrëmje në Korçë midis Skënderbeut dhe Kukësit. Ndeshja ka nisur e qetë, por, pas 8 minuta lojë, lojtarët e skuadrës verilindore pretendojnë për një 11-metërsh, pas një prekjeje të topit me dorë brenda zone nga ana e mbrojtësve korçarë. P
as konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), gjyqtari Meta bën me dorë nga pika e bardhë dhe Taipi nuk gabon, duke e kaluar Kukësin në epërsi. Pjesa e parë në Korçë mbyllet kështu me epërsinë minimale të Kukësit, kurse Ajo e dyta nis më mirë për korçarët dhe, në minutën e 50-të, Pëllumbi ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Pusit në zonë.
Dhe për Metën nuk ka dyshime që është 11-metërsh, duke bërë shenjë nga pika e bardhë. Godet Zguro dhe barazon shifrat në 1-1. Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, teksa Skënderbeu shpërdoron edhe shansin për të gjetur golin e fitores me Vrapin, që godet jashtë kuadratit nga fare afër, mbyllet në barazim 1-1 kjo ndeshje dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë.