AlbanianSport.com 20/03/2022 18:10
ASNN – Për trajnerin e përfaqësueses kuqezi, Edoardo Reja, këto të fundmarsit janë dy teste të rëndësishme që do t’i japin mundësi skuadrës të tregojë se sa është rritur duke matur forcat me rivalë të rëndësishëm. Sigurisht, për trajnerin edhe rezultati është i rëndësishëm në këto dy ndeshje dhe se Kombëtarja shqiptare do të provojë të marrë dy rezultate pozitive në këto miqësore ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë në javën e fundit të marsit.
“Kam folur me djemtë edhe hera të tjera, ne nuk duhet t’i luajmë këto ndeshje si të ishin miqësore, e kam thënë edhe më parë, për Kombëtaren shqiptare nuk ka miqësore, të gjitha ndeshjet duhet t’i luajmë me 100% të mundësive tona, edhe sepse sa i përket rritjes në aspektin psikologjik këto janë ndeshje shumë të rëndësishme për të parë progresin që kemi bërë”, – ka thënë ai duke komentuar rëndësia e këtyre dy miqësoreve.
“Pra, janë dy ndeshje të rëndësishme, janë dy skuadra shumë të forta, – ka vijuar trajneri kuqezi. – Për Spanjën, nuk ke çfarë thua shumë, vërtetë Italia e mundi në gjysmëfinalen e Evropianit të fundit, por Spanja ia fshehu topin gjatë ndeshjes. E dimë shumë mirë se si luan, sidomos sa i përket zotërimit të topit që ata kanë, por ne duhet të jemi shumë të zotë që t’i bëjmë presion të lartë, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të ndërtojnë lojën e tyre.”
“Ky është qëllimi ynë, por sigurisht fusha do të tregojë të vërtetë si gjithmonë, – ka theksuar veterani italian. – Gjeorgjia është qartësisht një ekip tjetër i rëndësishëm, i një niveli shumë të mirë, dhe do të jenë dy ndeshje që na mundësojnë të bëjmë kolaudimet e duhura për të parë se në çfarë gjendje jemi. Më vjen mirë që të gjithë lojtarët po luajnë të gjithë me klubet e tyre dhe janë futbollistë që luajnë në kampionate më të forta, si në Serinë A apo në Serinë B dhe kjo u jep atyre më shumë përvojë.”
“Shpresoj që të mund të shoh progres mbi të gjitha në aspektin psikologjik dhe mbi të gjitha në aspektin e pjekurisë”, – ka shtuar 76-vjeçari, i cili më pas ka folur edhe për objektivat në rezultate. “Luajmë gjithmonë për të marrë rezultate pozitive, mbi të gjitha kundër Spanjës e dimë që do të jetë e vështirë të përballesh me një ekip të tillë
por përtej rezultatit dua të shoh progresin e lojës tonë, sidomos të shohim se si do të jemi përgjatë 90 minutave, kjo më intereson shumë.”
“Kemi luajtur kundër Francës apo Anglisë, nuk kemi bërë mirë, por ndaj Spanjës do të do të doja të ishim në lojë deri në fund. Ky do të ishte një objektiv i rëndësishëm. Më pas ndaj Gjeorgjisë sigurisht shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje, me Spanjën do të jetë e vështirë, por ndaj Gjeorgjisë është e qartë se pres lojë të mirë dhe rezultat pozitiv”, – ka përfunduar trajnerin e përfaqësueses kuqezi të futbollit, Edoardo Reja.