AlbanianSport.com 20/03/2022 15:55
ASNN – Me dy takimet e luajtura të dielën, është mbyllur të dielën java e 26-të e Kategorisë Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në ndeshjen e luajtur më herët, Teuta ka korrur një fitore cinike në Laç përballë skuadrës vendase, teksa një gol i vetëm i shënuar në pjesën e dytë i ka mjaftuar për të marrë 3 pikë të vyera, që e largojnë edhe më tepër nga zonë e ftohtë e rënies nga Kategoria. Ndërkaq, kurbinasit mbeten edhe më prapa Tiranës në betejën për titull, teksa kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur.
Në fakt, pjesa e parë e takimit të luajtur pasdreke ka parë një epërsi të lehtë të skuadrës vendase, por me të dyja skuadrat që e kufizojnë njëra-tjetrën në rastet e krijuara nga goditjet e lira dhe nga goditjet nga larg. Dhe rasti më i volitshën u pjesës së parë, kur goditja e fuqishme nga larg e Julian Shehut devijohet fillimisht nga portieri Qirko dhe më pas nga shtylla horizontale. Pjesa e dytë ka qenë rasti klasik i një ndeshjeje ku njëra skuadër, në rastin konkret ajo kurbinase, bën gjithçka, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës.
Ndërsa skuadra mike bën atë që i duhet, gjen golin që do t’i japë fitoren. E teksa Laçi sulmon, ndërton raste për shënim dhe shpërdoron, kjo kryesisht për meritë të gardianit të portës durrsake, Qirko, që nuk e lejon prekjen e rrjetës së tij, i ndihmuar edhe nga mbrojtja e tij, siç ishte rasti i minutës së 69-të, është Teuta që 4 minuta më pas gjen edhe golin e fitores. Është Hebaj, i cili u fut në lojë në minutën e 65-të, ai që do të reagojë shpejt në minutën e 73-të, kur do të përcjellë në rrjetë topin e devijuar nga portieri vendas, Dajsinani.
17 minutat e mbetura dhe ato 5 shtesë do të shohin Laçin të sulmojë, por Teuta mbrohet mirë dhe arrin ta ruajë fitoren, duke e thelluar ndërkohë krizën e kurbinasve, që prej një muaji dhe 5 ndeshjesh, nuk e shijon fitoren.