AlbanianSport.com 28/02/2022 19:25
ASNN – Masa e skajshme, preket edhe Shqipëria, që humbet një nga kundërshtaret në Ligën e Kombeve. Ishte paralajmëruar në fakt, por të hënën në mbrëmje është bërë zyrtare. FIFA dhe UEFA kanë vendosur të përjashtonjë për një periudhë të pacaktuar Rusinë, pas luftës së nisur në Ukrainë. Ky vendim nënkupton se përfaqësuesja ruse e futbollit të mos marrë pjesë në fazën e “play-off”-eve të Botërorit 2022, që do të mbahet në fund të këtij viti në Katar.
Më 24 mars, Rusia duhej të luante gjysmëfinalen e çiftit të saj ndaj Polonisë, dhe, nëse fitonte, do të përballej në finalen për një biletë për në Botëror me fituesen e çiftit Suedi-Republika Çeke. Të tria këto ekipe refuzuan të luajnë me Rusinë pas sulmit ushtarak ndaj Ukrainës. Mbetet për t’u përcaktuar nëse Polonia do të kalojë direkt në finale, apo vendin e Rusisë do ta marrë Sllovakia, si ekipi me pozicionimin më të lartë nga të eliminuarat.
Sipas vendimit të FIFA, edhe klubet ruse nuk mund të luajnë në kupat e Evropës të organizuara nga UEFA, e cila më herët e kishte përjashtuar skuadrën e vetme të mbetur në veprimtaritë kontinentale të klubeve, Spartakun e Moskës. Ndërkaq, UEFA ka bërë të ditur se kanë prishur edhe kontratën e sponsorizimit me kolosin e energjetikës, Gazprom. Emri i kompanisë ruse do të fshihet nga ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Ky vendim prek edhe Shqipërinë, e cila e kishte kundërshtare Rusinë në grupin e saj të Ligës së Kombeve, së bashku me Izraelin dhe Islandën.
Në ditët në vijim pritet të sqarohen edhe teknikalitetet e pasojave të këtij vendimi.