AlbanianSport.com 28/02/2022 14:10
ASNN – Është mbyllur pjesërisht java e 13-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave, që i ka zhvilluar ndeshjet e saj të ndara në dy ditë. Të shtunën janë luajtur 3 sfida, kurse të dielën është zhvilluar edhe ndeshja e 4-t, teksa është shtyrë për në një moment të dytë derbi kryeqytetas, Kinostudio-Partizani. Tri pretendetet kryesore për titull, Vllaznia, Apolonia e Tirana kanë marrë fitoret e radhës, teksa spikat fitorja e thellë e Apolonisë në shtëpi, 20-0 ndaj Skënderbeut.
Bardhejeshilet ishin dukshëm më të favorizuara në letër, teksa treguan superioritet edhe në këtë sfidë, me 10 gola të shënuar në pjesën e parë dhe 10 në të dytën. Mbizotërim ka treguar edhe kampionia në fuqi e vendit, Vllaznia, e cila ka triumfuar në sfidën ndaj Tirana AS në shtëpi. 9 gola të realizuar kundrejt 0 të shënuar nga kryeqytetaset, të cilat edhe në këtë sfidë nuk ia dalin të marrin pikë. Kjo fitore e mban në vendin e parë skuadrën shkodrane.
Duhet kujtuar këtu që, këtë sezon, skuadra kuqeblu nuk numëron asnjë humbje, vetëm një barazim dhe 11 fitore. Sakaq, edhe Tirana është përgjigjur në apel, me një tjetër fitore, kësaj radhe ndaj Lushnjes. Myzeqaret u mposhtën në kryeqytet me shifrat 7-0, teksa për bardheblutë ky 3-pikësh do të thotë ende shpresë për të luftuar për vendin e parë. Vishkulli hapi serinë e golave, teksa në këtë sfidë realizoi 3 gola gjithsej, ndërsa shënuan dy gola secila edhe Kodra dhe Rusi.
Ka një fituese edhe në derbin shkodran. Murlani fitoi ndaj Atletik Klub në këtë sfidë të parafundit të javës së 13-të, duke iu afruar kështu Partizanit të vendit të 4-t që do të luajë ndeshjen e saj në një moment të dytë. Sfida përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të Murlanit, që në javën e 14-të do të ketë përballë një rival të vështirë siç është Apolonia.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 13-të:
Të shtunën, 26 shkurt 2022:
Apolonia 20-0 Skënderbeu
Vllaznia 9-0 Tirana AS
Tirana 7-0 Lushnja
Të dielën, 27 shkurt 2022:
Atletik Klub 0-2 Murlani
Kinostudio (e shtyrë) Partizani