AlbanianSport.com 27/02/2022 23:10
ASNN – 20-vjeçari rrëfen për mediat britanike aventurën e tij në Premier Ligë Angleze. Ka spikatur me formën e tij në nivelin më të lartë të futbollit anglez, në Premier Ligë, duke shënuar 6 gola në 22 ndeshjet ku është aktivizuar, nga të cilat 14 herë si titullar dhe 8 herë është futur si zëvendësues. Pa përmendur këtu edhe dy golat që ka shënuar në Kupën e Ligës Angleze dhe të gjithë këto e kanë shndërruar atë në një prej njerëzve të momentit te ekipi i Sauthemptonit dhe mjaft të dashur për tifozët.
Në një intervistë për gazetën lokale të Sauthemptonit, “HampshireLive”, Broja ka folur me superlativa për ekipin që ai ndodhet, se si filloi gjithçka dhe se është shumë i lumtur për zgjedhjen që ka bërë. “Çdo gjë ka kaluar shumë shpejt, – ka deklaruar ai për median në fjalë, duke filluar: “Kur e mendon si filloi është çmendur. 6 muaj kanë shkuar shumë shpejt. Kur kam luajtur ndeshjen e parë, thashë “uau”, po luaj në Premier Ligë’. Shumë njerëz e kanë ëndërruar këtë që kur kanë qenë fëmijë.”
Me tej, sulmuesi shqiptar ka deklaruar: “Klubi është i njohur se ka prodhuar shumë lojtar të mëdhenj si Van Dajk, Mane, Hojbjerg, etj. Është vendi i duhur që duhet për t’u rritur si lojtar. Jam i lumtur si po shkojnë gjërat. Erdha këtu si një djalosh i ri dhe po mësoj shumë dhe po filloj të bëhem burrë. E gjitha falë Sauthemptonit. Ata më kanë ndihmuar shumë në rrugëtimin tim dhe shpresoj që të bëhet akoma më mirë.” Kur u pyet për të ardhmen, Broja tha: “Nuk dua të mendoj për më shumë sepse mund të dëmtojë mentalitetin dhe mendjen time”, përfundoi 20-vjeçari.