AlbanianSport.com 27/02/2022 17:55
ASNN – Fitorja me Laçin, një moment kulmor që mund të vulosëfatet e sezonit. Më tepër sesa ka mundur të dielën Laçin, duket se Tirana e ka vrarë praktikisht kampionatin që tani. Dhe dorashka e sfidës është hedhur tanimë për rivalet që t’ua mohojnë këtë bardhebluve sa nuk është vonë. Natyrisht, me 14 javë të mbetura deri në fund të sezonit, teksa është luajtur diçka më pak se dy faza e gjysmë nga 4 të tilla, dhe me plot 42 pikë në lojë, është ende herët për të folur për verdiktet e këtij sezoni.
Por duket se fitorja që Tirana korri kundër Kukësit me shifrat 4-1, e për më tepër mënyra e arritur, me një blic prej 4 golash të shënuar në 43 minutat e para të sfidës, ndaj një kundërshtari që nuk e njihte humbjen prej 13 ndeshjesh, ose më saktë prej plot 3 muajsh, që nga 27 nëntori i vitit të shkuar, është padyshim një moment kulmor i këtij sezoni. Një moment dhe një rezultat që padyshim do të vendosë shumëçka kur të bëhen llogaritë në fund të këtij sezoni.
Më tepër se kaq, skuadra bardheblu ka një bilanc pozitiv kundrejt të gjitha skuadrave të gjysmës së sipërme të renditjes, duke nisur nga Laçi, ndaj të cilit ka korrur dy fitore e ka pësuar një humbje, me një golaverazh prej 6 golash të shënuar dhe 2 të pësuar, e duke vijuar me Kukësin, me të cilin ka korrur një fitore, kanë ndarë një barazim dhe kanë pësuar një humbje, me një golaverazh prej 7 golash të shënuar dhe 4 të pësuar, me Vllazninë, të cilën e ka mundur dy herë e një herë janë ndarë në barazim, me një golaverazh prej 3 golash të shënuar dhe një të pësuar, e duke e mbyllur me Partizanin, të cilën gjithashtu e ka mundur dy herë e një herë janë ndarë në barazim, me një golaverazh prej 3 golash të shënuar dhe një të pësuar.
Ndërkohë, më tepër sesa epërsia në krye apo epërsia në duelet e drejtpërdrejta me rivalet, epërsia më e madhe e Tiranës është padyshim paaftësia e këtyre rivaleve për të paraqitur një sfidë të denjë për titull. Laçi ishte, deri në duelin e së dielës, sfidantja më serioze, por humbja me bardheblutë i ka tronditur dukshëm kredencialet e skuadrës së Josës, që është 6 pikë prapa bardhebluve kryesues. Kukësi vijon të luhet mes skajeve, si në formë, ashtu edhe në rezultate, luhatje që kulmuan edhe me spekulimet për dorëheqjen e trajnerit, të hedhura poshtë nga klubi, dhe verilindorët e gjejnë veten 11 pikë prapa Tiranës.
Vllaznia ka mbrojtjen e 3-të më të mirë në kampionat dhe ka pësuar vetëm 3 humbje, po aq sa Tirana, por është dëmtuar nga numri i konsiderueshëm i ndeshjeve që i ka mbyllur në barazim, plot 11, apo thënë ndryshe gjysmën e takimeve të luajtura deri më tani, çka e ka lënë plot 15 larg kreut. Me pak fjalë, duket se, më tepër sesa ka mundur të dielën Laçin, Tirana e ka vrarë praktikisht kampionatin që tani. Tanimë dorashka e sfidës është hedhur për rivalet që t’ia mohojnë këtë bardhebluve sa nuk është vonë.