AlbanianSport.com 26/02/2022 18:40
ASNN – Dueli i mbijetesës ka përfunduar me fitoren e Egnatias me rezultatin 2-1 në Stadiumin “Arena Egnatia”, e vlefshme për javën e 22-të në Kategorinë Superiore. Goli i parë i kësaj ndeshje do të vinte vetëm në minutën e 58-të, dhe vendasit do të ishin ata që do të dërgonin topin në rrjetën e Kastriotit. Gëzim Krasniqi kalon në epërsi rrogozhinasit me anë të një 11-metërshi të saktë, kur më parë Huseini kishte shkaktuar ndërhyrje të parregullt ndaj Duranskit, me gjyqtarin Hamiti që ka fishkëllyer për 11-metërsh.
Kastrioti i trajnerit Emiliano Çelës do të reagonte menjëherë në minutat në vazhdim, teksa pretendojnë për një prekje topi me dorë nga kundërshtarët në zonën e Egnatias, por kryesori nuk ndan të njëjtin mendim. Goli i barazimit do të vinte përsëri nga një 11-metërsh në minutën e 73-të për Kastriotin. Bledar Lila ka prekur topin me dorë dhe për kryesorin Eldorjan Hamiti nuk ka dyshime është 11-metërsh, ku edhe në dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) konfirmohet si i saktë vendimi.
Kaina merr përsipër të ekzekutojë 11-metërshin dhe aiu tregohet i saktë, ndërsa në Rrogozhinë do të vendosej edhe barazpesha. Por shpërthen festa në “Arena Egnatia”, në minutën e fundit, kur Ilirid Ademi shënoi edhe golin e fitores për rrogozhinasit, të cilët arrijnë kështu të marrin një 3 pikësh që vlen shumë në luftën për mbijetesë. Tensionet nuk munguan edhe në këtë ndeshje mes lojtarëve dhe në minutën e fundit të takimit Artur Magani do të ndëshkohet me karton të kuq për protesta.
Egnatia ka arritur të marrë kështu një fitore shumë të rëndësishme përballë Kastriotin, në duelin e mbijetesës. Rrogozhinasit mposhtën 2-1 krutanët në “Arena Egnatia” në ndeshjen e javës së 22-të të Kategorisë Superiore. Kjo fitore e dërgon Egnatian e trajnerit Zekirija Ramadanit në vendin e 7-të të renditjes, në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Kastrioti mbetet në zonën e ftohtë në vendin e parafundit në kuotën e 18 pikëve.