AlbanianSport.com 25/02/2022 21:40
ASNN – Veçohet vetëm episodi i anulimit të 11-metërshit në fund të pjesës së dytë. Derbi tjetër i kryeqytetit midis Dinamos dhe Partizanit, i luajtur të premten në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare” i ka parë të dy skuadrat të vijnë në këtë përballje me synime të kundërta, nga njëra anë, skuadra vendase, e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli, kërkonte fitoren për t’iu larguar zonës së ftohtë të renditjes, kur nga ana tjetër, ekipi i homologut Dritan Mehmeti e kërkonte atë për t’u futur në zonën e Kupave të Evropës sezonin e ardhshëm.
Për këtë arsye, ngarkesa psikologjike ka qenë e madhe dhe rastet kanë qenë të pakta dhe jo në nivelin e pranueshëm të rrezikshmërisë. Dinamo humbet Imamin që në minutën e 12-të për probleme fizike, ndërsa menjëherë më pas vjen rreziku i parë është në portën e Partizanit, kur Hoxha gabon në kontrollin e topit, por korrigjon e menjëherë veten dhe shmang rrezikun që paraqiste Rexhinaldo. Në minutën e 19-të, vjen një gjuajtje e befasishme e Ibraimit në portën e Partizanit, por Hoxha kontrollon në dy kohë.
Mundohet Partizani në krahun tjetër me Bitrin, por loja është përgjithësisht nën nivelin mesatar, dhe me Sidibenë, në të 36-tën, që vë në provë Hoxhën, dhe me Malën që bën të njëjtën gjë me Harizajn në të 43-tën, është Partizani që me Carën i afrohet më afër golit në minutën e parë shtesë. Sidoqoftë, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. E dyta ka patur të njëjtën tablo, me gjysma rastesh e me përpjekje të mbetura në tentimë, siç ishte ai i Denisonit në të 51-tën, apo ai i Markut 7 minuta më pas.
Dinamo ka humbur ndërkohë edhe Rexhinaldon për shkak të dëmtimit, teksa në fushë në vend të tij hyn Çinedu. Kallaku provon në minutën e 65-të, me një diagonale që nuk e gjen sidoqoftë kuadratin e Harizajt, dhe teksa Mehmeti bën dy ndërrime, është Skuka që i afrohet golit 6 minuta më pas, por Harizaj nuk lejon prekjen e portës së tij. Hoxha gabon në dalje pas një harkimi të gjatë, por, për fatin e mirë të gardianit të portës së të kuqve, askush nga Dinamo nuk arrin të përfitojë. 14 minuta para fundit, vjen edhe një moment vendimtar.
Kjo pasi gjyqtari Jorgji jep 11-metërsh për Dinamon dhe ndëshkon me karton të kuq Muratajn, për ndërhyrjen në dëm të Ibrahimit. Sidoqoftë, pas konsultimit 3-4-minutësh me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), vendimi ndryshon, teksa ndërhyrja është jashtë zonës dhe është goditje e lirë, por kartoni i kuq i Muratajt qëndron dhe Partizani mbetet me 10 lojtarë. Ibrahimi gjen murin nga goditja e lirë, ndërsa Kallaku provon të rrezikojë në minutën e 84-t, por nuk i gjen koordinatet e portës së Harizajt.
Ashtu sikundër dy minuta më pas është Sidibe që largon dy herë rrezikun. Minutat e mbetura dhe ato shtesë nuk sjellin ndryshim në rezultat dhe mbyllet me rrjeta të paprekura derbi midis Dinamos dhe Partizanit.