AlbanianSport.com 25/02/2022 20:55
ASNN – Shorti për turin e 16-shes së Ligës së Evropës, i hedhur të premten në Nion të Zvicrës ka përcaktuar tashmë çiftet që do të përballen midis tyre, në këtë fazë të kësaj veprimtarie. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit ka përcaktuar tashmë çiftet e skuadrave që do të luajnë për fazën tjetër të saj.
Të premten në Nion të Zvicrës është hedhur shorti për këtë veprimtari, ku skuadrat e kualifikuara janë njohur me kundërshtarët, me të cilët do të ndeshen në takimet vijuese. Atalanta, skuadra e vetme italiane e mbetur në këtë veprimtari do të përballet me Bayer Leverkusen.
Spartaku i Moskës, e vetmja skuadër ruse në Ligën e Evropës do të ketë përballë Lajpcigun. Ndeshja e parë do të luhet në Gjermani, ndërsa e kthimit në fushë neutrale, pasi UEFA ia ka ndaluar skuadrave ruse dhe ukrainase të luajnë në fushat e vendeve të tyre.
Barcelona e trajnerit Xavi, që eliminoi Napoli, do të sfidojë turqit e Gallatasarajit. Në ndeshjet e tjera Sevija përballet me Uest Hemin, Gllasgou Rejnxhërs sfidojnë Cërvena Zvezdën, Braga ndeshet me Monakon, Porto me Lionin, kurse Real Betis me Eintrahtin e Frankfurtit.
Ndeshjet e para do të luhen në 10 mars dhe të kthimit në 17 mars 2022.